Zëdhënësi presidencial: Presidenti Meta do t’i mbrojë të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë!

15:53 | 18 Shtator 2019
Arbresh.info

Ndërsa presidenti Ilir Meta ndodhet në Strasburg në një vizitë të palajmëruar, zëdhënësi i tij Tedi Blushi njoftoi se kreu i shtetit shqiptar “…do ta vizitojë më shpesh Strasburgun, kryeqytetin e të drejtave të njeriut, pasi vetëm respektimi i tyre çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen”.

Reagimi erdhi sipas zëdhënësit Blushi, pas njoftimeve të “përsheshngrënësit e portaleve në të zezë” që kanë dezinformuar lidhur me këtë vizitë.

“Presidenti Meta është për vizite pune në Strasburg dhe i shoqëruar në çdo takim nga përfaqësuesit diplomatikë të shtetit shqiptar pranë Këshillit të Europës” shkruan zëdhënësi.

“I sqarojmë gjithashtu se Presidenti Meta nuk ka nevojë të lobojë, as në të bardhë, e as në të zezë.

Presidenti Meta do t’i mbrojë të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në Strasburg, në Bruksel, në Nju Jork dhe kudo në botë, hapur e në mënyrë parimore.

Shqipëria si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe si vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian, ka detyrim ligjor të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj, siç sanksionojnë të gjitha dokumentat e konventat që janë në fuqi” përfundon reagimi i zëdhënësit presidencial Tedi Blushi./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme