“Paradite” aderuan në Vetëvendosje, “pasdite” mbrojnë programin e partisë

09:59 | 18 Shtator 2019
Arbresh.info

Ka mbetur edhe shumë pak kohë derisa vendi ynë të shkojë në zgjedhje të parakohshme, e ndërkohë aderimet nëpër subjektet politike tashmë janë kthyer në një “trend”, shkruan arbresh.info.

Njerëzit që “deri dje”, nuk kanë pasur fare lidhje me politikë, ose kanë qenë anëtarë të një subjekti tjetër me qëndrime krejtësisht të ndryshme, aderojnë në parti politike dhe bëjnë propagandë të tyre, edhe pse ndoshta nuk kanë qëndrime të njëjta me atë parti.

Ka figura konkrete në Lëvizjen Vetëvendosje, që menjëherë pas aderimit janë ballafaquar në debate për mbrojtjen e programit dhe parimeve të kësaj partie. Njohësit e rrethanave politike komentojnë se sa është etike në politikë një gjë e tillë.

Politologu Albinot Maloku, në një përgjigje  të dhënë për arbresh.info, aderimet në partitë politike i ka konsideruar si shumë normale, por sipas tij aderimi i personave që në të kaluarën nuk kanë shprehur qëndrime të përafërta me atë parti, dhe pjesëmarrja e këtyre personave në fushatat  e këtyre partive, dëmton edhe partinë edhe vet personin.

“Anëtarësimi i njerëzve në subjekte politike si proces është i natyrshëm, mirëpo aderimet para një fushate zgjedhore dhe kalimi i tyre në fushën e betejës, ende pa mësuar konceptin, filozofinë e të shkuarën e atij subjekti politik, sidomos nëse nuk ka shprehur qëndrime e pikëpamje të përafërta me të, seç e dëmtojnë edhe individin e aderuar edhe subjektin politik”, u shpreh Maloku.

Ai më tutje ka thënë se kjo gjendje bëhet ende më qesharake kur një person transferohet nga një parti në tjetrën ngase ai person deri në transferim mbronte një qëndrim tjetër, e pas transferimit një qëndrim krejt tjetër.

”I aderuari mund të futët në fushën e debatit, e të nxjerr vizionin e tij se çka do të sjell risi, mirëpo assesi nuk mund të jetë kompetent për të mbrojtur hapat e veç kaluar të atij subjekti politik, sidomos, e përsëris nëse së paku për një kohë nuk ka pasur qëndrime të përafërta me subjektin në fjalë. Ende më qesharak mund të dal i transferuari nga një subjekt politik tek tjetri që deri në transferim mbronte një qëndrim tjetër, e pas transferimit një qëndrim krejt tjetër. “, deklaroi Maloku.

Nga ana tjetër analisti politik Blerim Burjani, e ka konsideruar këtë gjë, punësim për njerëzit e papunë.

“Politika në Kosovë është thjesht punësim për të papunë, VV kishte dikur moton Voto për tu punësuar e tash punësohen qe tre mandate njerëz të njëjtë që në jetën e përditshme plotësisht janë të papunë, po sikur edhe te PDK e AAK e NISMA , pra shumicën punësohen me vota te qytetarëve , njerëz te papunë dhe pa eksperiencë e mendojnë veten kryeministër për me udhëheq popullin kjo tingëllon absurde dhe anarki e madhe po ndodhe”, ka thënë Burjani.

Sipas Burjanit, qytetarët nuk duhet t’i votojnë personat që nuk kanë vlera.

“Gjithkush del me tregu si duhet me u dukë shteti, ekonomia e vet janë të papunë. Vetëdijesimi i qytetarëve është problemi më i madh i shtetit. Nuk duhet të votojnë njerëz që vet nuk kane asnjë vlerë dhe kurrë nuk janë  punësuar madje qe duke më se normale në ekonomi tregu pa pas dyqan privat nuk meriton kush as me të flet e lëre me u bë kryeministër populli”, tha Burjani.

Së fundi, në Lëvizjen Vetëvendosje kanë aderuar shumë pjesëtarë të shoqërisë civile, apo ish-politikanë, që shpeshherë kanë kritikuar ashpër programin apo parimet e Vetëvendosjes./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme