Google ADS

Haradinaj: Ideja e shkëmbimit të territoreve ka filluar kur ka qenë Isa Mustafa në Qeveri

00:43 | 18 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Daut Haradinaj nga koalicioni AAK-PSD me humor e ka përshkruar bashkëpunimin e ish-koalicionit qeverisës.

“Po e kthej në humor. Kur ra qeveria e Isa Mustafës, iu rëndua shëndeti shumë ish-kryeministrit Mustafa. Unë kam respekt për të si njeri, edhe pastaj me kalimin e kohës thashë ‘nuk paska pasë faj i shkreti me kon paska pasë punë’”.

“Asnjë gjë nuk është e pakoordinuar. Edhe nëse koordinimi ka qenë që mos me u marrë vesh sepse ne u kemi thënë në tavolinë qartë që ‘ne nuk pajtohemi me shkëmbimin e territoreve dhe me e copëtu Kosovën’”.

Haradinaj në Analiza Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se ka dyshime se ideja për shkëmbimin e mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë s’është produkt i kësaj qeverie.

“Mendoj se ideja e shkëmbimit të territoreve ka filluar në periudhën kur ka qenë Isa Mustafa në Qeveri dhe kjo nuk ka buruar aty për aty. Me kalimin e kohës, kjo është avancuar dhe ka arritë deri te një nivel më i lartë se rajoni dhe Europa”.

Madje, ai ka thënë se shumë prej kolegëve të tij, në pozitë dhe opozitë, i kanë thënë se shkëmbimi i territoreve është punë e kryer.

“Shumë akterë të skenës politike dhe opozitare më kanë thënë ‘kot e keni se kjo punë është e kryer’. Por, po e shohim sot se nuk paska qenë e kryer”.

“Më kanë thënë që kur zbret [John] Boltoni në Kosovë, po humbni kohë kot. Po shihet qartë që edhe akterët më të mëdhenj në Washington dhe BE janë kundër ndarjes së Kosovës”.

Haradinaj ka deklaruar se i kanë quajtur ‘tradhtarë’ për shkak që nuk e kanë përkrahur idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Na kanë thënë ‘tradhtarë që nuk po e pranoni Luginën e Preshevës‘. Kur unë jam angazhuar personalisht për Luginën e Preshevës, krejt këta që flasin sot për Luginën e Preshevës kanë ikë”.

“Më kanë denoncuar publikisht dhe si rezultat i këtyre rrethanave unë jam sot në Listën e Zezë të SHBA-së. Nuk i kam bërë asgjë të keqe Amerikës kurrë, përkundrazi Amerika nuk ka pasë ushtar më të mirë se unë në Kosovë”.

Por, a ka ‘perënduar’ ideja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë?

“Sa të është gjallë Serbia, kjo ide nuk do të përfundojë. Serbia historikisht është e ndërtuar mbi territore të shqiptarëve dhe ata do të pretendojnë në mënyrë permanente”.

Haradinaj në fund ka thënë se SHBA-të dhe NATO kanë interes që t’i mbyllin të gjitha çështjet e hapura në Ballkan dhe ta largojnë ndikimin e Rusisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme