Gjiganti anglez Chelsea nuk ka pasur mundësi të transferojë futbollistë këtë afat kalimtar veror.
E kjo duket se i ka ndihmuar londinezët që të dalin në pah talentet që kanë në skuadër.
Kësisoj futbollistët si Tammy Abraham, Mason Mount apo Fikayo Tomori janë rikthyer nga huazimet që ishin edicionin e kaluar dhe tani kanë një rol të rëndësishëm në skuadër.
Në pesë xhirot e para në Ligën Premier, Chelsea ka shënuar 11 gola dhe që të gjithë këta gola janë shënuar nga tre futbollistë të dalë nga akademia e klubit.
Sulmuesi Tammy Abraham ka realizuar shtatë prej tyre dhe mban pozitën e parë të golashënuesve në Ligën Premier, Mason Mount ka realizuar tre të tjerë dhe Fikayo Tomori një tjetër.
Përveç tre lojtarëve të lartpërmendur, Chelsea ka edhe tre të tjerë në ekipin e parë të dalë nga Akademia, por që janë duke u rikuperuar nga lëndimet.
Callum Hudson-Odoi, Ruben Loftus-Cheek dhe Reece James janë tre lojtarët e tjerë që pritet të kenë rol të rëndësishëm këtë edicion nga trajneri Frank Lampard.
Sulmuesi anësor Hudson-Odoi dhe mbrojtësi i djathtë Reece James janë pranë rikthimit në fushë, pasi të premten kanë luajtur me ekipin rezervë të Chelseat.
Ndërkohë rikthimi i mesfushorit Loftus-Cheek pritet të bëhet në muajin nëntor.
Chelsea edhe më parë ka pasur lojtarë të talentuar në skuadër, por që i ka liruar ata pa iu dhënë hapësirat.
Kevin De Bruyne, Romelu Lukaku, Mohamed Salah apo Thorgan Hazard ishin vetëm disa nga lojtarët e shumtë që ishin pjesë e londinezëve por që nuk patën rastin të tregohen me ekipin e parë. /Telegrafi/