“Pastrojmë Tiranën në një ditë” Veliaj: Të qenit europianë e kemi vetë në dorë

14:51 | 14 Shtator 2019
Arbresh.info

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, qytetarë dhe vullnetarë, të mbështetur nga punonjësit e ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës, si dhe 27 njësitë administrative, morën pjesë sot në aksionin e pastrimit të Tiranës. Pastrimi nisi që në orët e para të ditës dhe u shtri në të gjitha njësitë administrative, duke larguar mbetjet nga rrugët, akset dhe urat kryesore, ndërsa një vëmendje të veçantë iu kushtua hapësirave pranë shkollave.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga anëtarë të Këshillit Bashkiak, iu bashkua aksionit të pastrimit përgjatë aksit rrugor Kombinat-Ndroq, ndërsa falenderoi të gjithë qytetarët që iu përgjigjën thirrjes, duke theksuar se ky aksion është një mundësi fantastike që i madh dhe i vogël të sillet si europian.

“Ca gjëra i ka në dorë Gjermania, Franca apo Holanda, por ca gjëra për të qenë europianë, i kemi në dorë vetë. Gomat, shishet, mbeturinat, të gjitha papastërtitë, nuk na i kanë sjellë armiqtë imagjinarë. Nuk na i ka bërë as greku, as serbi, as turku, i kemi bërë vetë. Tirana është sot dita me natën, ku e ku më e pastër, por duhet të jetë xixë, nëse duam të jemi realisht një vend europian”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se pavarësisht angazhimit të institucioneve që merren me pastrimin, për të patur një qytet sa më të mirë dhe të jetueshëm, është i nevojshëm kontributi i çdo qytetari për t’u kujdesur çdo ditë për mjedisin ku jeton. “Është një mënyrë për të thënë: Ej, kemi dy mundësi, ose kthehemi në një komb qaramanësh, duke thënë shteti s’bën ketë, qeveria s’bën atë, Bashkia s’bën këtë; ose themi, e di çfarë, për të hequr një shishe nga rruga apo një qese, do ta bëj vetë, siç ndodh në çdo vend të civilizuar të botës. Më vjen mirë që po vjen kjo kulturë e re”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kryebashkiaku vuri theksin te mesazhi që ky aksion jep së pari për fëmijët, të cilët duhet mësohen me rregullin dhe pastërtinë në mjedisin ku jetojnë dhe mësojnë. “Shkolla fillon të hënën dhe mesazhi që i japim fëmijëve është se nuk jemi vend zhulsash. Të themi që ne shqiptarët jemi pastërtorë dhe një gen i rrallë, duhet provuar. Gen i rrallë për çfarë? Nëse nuk e provojmë përditë tek fëmijët tanë se jemi realisht të pastër, se mbajmë higjienë si në shtëpi, edhe në ambientet publike, atëherë nuk do e kemi fituar këtë betejë për civilizim”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Por, përveç shkollës që nis të hënën, Veliaj shtoi se për Tiranën është një detyrim që të jetë e pastër çdo ditë, pasi është qendra e Shqipërisë dhe e çdo aktiviteti ndërkombëtar që zhvillohet këtu. “Bashkia e Tiranës do të mikpresë konferencën “Kina +17”, me 17 kryetarë të kryeqyteteve nga Europa Qendore dhe Lindore. Në një vend që është pis nuk pret dot njerëz në mënyrë dinjitoze. Pastaj, do të jetë ministeriali i ministrave të Jashtëm të Mesdheut. Shumica janë njerëz që kanë në dorë fatin e Shqipërisë. Kur shohin që në Rinas goma të hedhura, pllaka të shqyera, rrugë të çara, zellin tonë për makina, lavazh, gomisteri, dhe shumë pak vëmendje ndaj mjedisit, u krijohet imazhi i një vendi shumë të prapambetur. Prandaj, kemi filluar një aksion pastrimi nga Rinasi deri në qendër të Tiranës. Besoj se edhe për Presidencën e OSBE-së, që do të kemi vitin tjetër, pastërtia, pastërtia, pastërtia, është kartolina më e bukur që mund të japim”, shtoi Veliaj.

Ai vuri në dukje faktin se edhe ky aksion tregoi ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe kryesisht të të rinjve për të dalë vullnetarë dhe për t’u kujdesur për qytetin. Kryebashkiaku Veliaj shtoi se Tirana këtë vit e nis vitin e ri shkollor jo vetëm më e pastër dhe më e mirë, por edhe me një shkollë krejtësisht të re, duke ruajtur traditën e bukur të vendosur deri më tani që në çdo shtator hap dyert një shkollë e re. “Do të hapim një tjetër shkollë të re, e kemi bërë traditë. Hapëm fillimisht shkollën “Betim Muço”, pastaj shkollën “Ardian Klosi”, pastaj shkollën “Hoxha Tahsin”, pastaj shkollën “Kosova”, kurse këtë vit presim të hapim shkollën e pestë të re, shkollën “Servete Maçi”, tek Njësia 9. Është shkolla më e bukur në Shqipëri dhe standard që do e ndjekin edhe 17 shkollat e tjera, që tani janë në nivel themelesh”, deklaroi Veliaj.

Për t’i ardhur në ndihmë prindërve dhe fëmijëve që të mos vonohen në mësim, ai bëri të ditur se nga e hëna do të nisë regjimi i lëvizjes së automjeteve të transportit në kryeqytet. Nga ora 07:00-09:00 të mëngjesit nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që furnizojnë dyqanet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme