Para zgjedhjeve rinis fryrja e listave të veteranëve

08:16 | 14 Shtator 2019
Arbresh.info

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është shprehur e shqetësuar se si në prag të zgjedhjeve kanë nisur të lëshohen certifikata për veteranët e luftës. Njohës të rrethanave politike e juridike theksojnë se persona të caktuar për qëllime elektorale kanë nisur prapë ta keqpërdorin statusin e veteranit, shkruan gazeta “Zëri”.

Në listat e veteranëve të luftës kanë filluar të rriten numrat. Certifikata që vërtetojnë statusin zyrtar të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur të lëshohen prapë. Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë shprehur shqetësim për shpërndarjen e këtyre certifikatave, të cilat sipas tyre mund të keqpërdoren tash kur vendi është në prag të zgjedhjeve të reja.

Madje edhe ish-ushtarë e komandantë të UÇK-së ndihen të ofenduar për lëshimin e këtyre certifikatave pa u plotësuar kriteret. Ata theksojnë se është e pamoralshme të barazohen me persona që nuk kanë luftuar dhe që mundohen ta mashtrojnë shtetin për përfitime materiale. Për çështjen e veteranëve është ngritur aktakuzë ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar, të cilët akuzohen për “Keqpërdorim të autoritetit ose të pozitës zyrtare”. Ata janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme