Haradinaj mori pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për Kompleksin Sportiv “FC Prishtina”

18:41 | 13 Shtator 2019
Arbresh Info

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në prerjen e shiritit dhe përurimin e fillimit të punimeve për Kompleksin Sportiv “FC Prishtina”.

Me këtë rast kryeministri në detyrë Haradinaj, duke uruar sportdashësit për fillimin e punimeve për këtë qendër sportive, tha se sikurse çdo qytetar i vendit, i gëzohet këtij momenti të nisjes të kësaj infrastrukture më të avancuar, në radhë të parë për futbollin, por edhe për sportet tjera.

“Një qendër e tillë i ka munguar kryeqytetit, i ka munguar Kosovës. Urime e me fat”, ka thënë kryeministri në detyrë, Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se rezultatet e fundit të Kosovës dhe lojtarët që ia kemi dhënë shteteve të tjera, tregojnë se Kosova ka talent të jashtëzakonshëm në futboll dhe Prishtina si kryeqendër e Kosovës duhet ta luaj rolin e vet në zhvillimin dhe tërheqjen e këtyre talentëve.

Presidenti i “FC Prishtina” Remzi Ejupi, falënderoi kryeministrin në detyrë Haradinaj për mbështetje, duke thënë se pret që në të ardhmen edhe sporti të ketë përparësi, meqë është dëshmuar se është një nga faktorët kryesor për popullarizimin dhe mbështetjen e vendit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ai i Shqipërisë, Qemal Minxhozi dhe shumë personalitete të tjera nga fusha e sportit.

Gjatë prezantimit të projektit, u tha se kompleksi Sportiv, përveç stadiumit kryesor për 1500 shikues, do t’i ketë edhe dy fusha tjera të futbollit, tri fusha të tenisit, një fushë të ragbit dhe objekte tjera përcjellëse që do të shërbejnë për gjithë sportistët dhe i cili do të plotësojë në masë të madhe zhvillimin dhe aktivitetet sportive.

Kompleksi sportiv, investimi i së cilit parashihet të jetë 25 deri 30 milionë euro, pritet të ketë mbi 100 të punësuar të përhershëm brenda kompleksit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme