VV: Banditët nuk e kanë vendin në debate televizive

23:39 | 11 Shtator 2019
Arbresh.info

Pas përplasjes mes deputetit të PSD-së Dardan Molliqaj dhe kandidatit për deputet nga VV, Haki Abazi ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në facebook ka shkruar se banditët nuk e kanë vendin në debate televizive.

Ja postimi i plotë:

Banditët nuk e kanë vendin në debate televizive

Pas emisionit “Pressing” në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesit e tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë.

Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë.

Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët.

Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë.

Qëndrojmë në mbështetje të plotë të z. Haki Abazi, dhe të cilitdo aktivist që është sulmuar me dhunën e tyre verbale e fizike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme