Sulmuesi anësor i Kombëtares së Kosovës, Arbër Zeneli, e ka shprehur pakënaqësinë e tij me faktin që s’do të ketë mundësi të luajë sonte në ndeshjen kundër Anglisë, shkaku i lëndimit që e kishte pësuar në qershor me Kosovën.
Ekipi kombëtar i Kosovës do ta vazhdojë rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjen kundër Anglisë, e cila nis në orën 20:45 në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.
Trajneri Bernard Challandes s’do të mundë të mbështetet te Arbër Zeneli për këtë ndeshje, pasi që 24-vjeçari është ende duke u rikuperuar nga lëndimi që e kishte pësuar në ndeshjen kundër Malit të Zi me Kosovën.
“Kur nuk mund të jesh në Angli sonte”, shkroi Zeneli në llogarinë e tij në Instagram, mbi një fotografi që futbollisti shihet i pakënaqur.
Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në EURO – ku garojnë edhe Republika Çeke, Mali i Zi dhe Bullgaria. Favorite për ta fituar këtë grup është Anglia, mirëpo Kosova do të mund ta sigurojë një vend në Evropian edhe duke u radhitur e dyta në grup.
Për këtë ndeshje – njëjtë si për atë kundër Çekisë – trajnerit Challandes i mungojnë në skuadër pesë futbollistë të cilët zakonisht luajnë në formacionin e parë – Milot Rashica, Zeneli, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.
Momentalisht, Anglia e kryeson grupin A me nëntë pikë të fituara nga tri ndeshje të zhvilluara. Fitorja sonte do t’ia vazhdonte rekordin e 100 për qindtë në rrugën drejt EURO 2020, ndërsa disfata do të bënte që Kosova ta marrë kreun e grupit.
Në anën tjetër, Kosova radhitet e dyta në grup, me tetë pikë të grumbulluara nga katër ndeshje të zhvilluara. Fitorja do t’i vazhdonte Kosovës ecurinë e jashtëzakonshme prej 15 ndeshjeve pa disfatë, ndërsa humbja do t’ia jepte Republikës Çeke mundësinë ta marrë sërish vendin e dytë, pasi që çekët sot do të përballen me Malin e Zi.
Kjo është hera e parë që Kosova po përballet me Anglinë, ndërsa gjatë këtij viti do ta zhvillojë edhe një tjetër ndeshje me “Tre Luanët” – me 17 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express/
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...
Mustafa i reagon Kurtit për doracakët, e publikon deklaratën...
Franca ‘gjunjëzon’ Italinë, Belgjika pëson ndaj Izraelit
Sërish protestohet në Novi Sad
Sqarohen Edi dhe Gresa, kush kujt i kërkoi falje?
Rashkaj: UEFA është fajtori kryesor për ofendimet ndaj Kosov...