Dokumenti i Ministrisë së Brendshme i vitit 1959, ku jepen detaje të hollësishme se si jetonin të internuarit e vendosur me dhunë në Lushnje, ku në një dhomë të vogël, detyroheshin të jetonin deri në katër familje…
Një relacion i Ministrisë së Brendshme i gushtit 1959, zbulon gjendjen e rëndë, ku detyroheshin të jetonin të internuarit pasi i vendosën nëpër fshatrat e Lushnjes. Relacioni i përgatitur për Këshillin e Ministrave, nënvizon se në atë kohë, ishin mbi 725 të internaur nga familjet e të arratisurve të famshëm, (cilësuar në dokument “Familjet e Peshkaqenëve”) si e Hasan Dostit, Preng Previzit, Gjon Markagjonit, Abaz Ermenjit, Muharrem Bajraktarit, Mehdi Frashërit etj, të cilët bashkë me shumë familje të tjera të internuara, jetonin në kushte mizerje të strehuar nga 2, 3 apo 4 familje në një dhomë të vogël, saqë kur flinin, nuk shtrinin dot as këmbët.
Ngaqë nuk kishin ku të strehoheshin të rinjtë 20-30 vjeç, të cilët kishin shkuar fëmijë në internim dhe ishin rritur kampeve, nuk guxonin të martoheshin e të krijonin familjet e tyre.
Ndër të tjera, në dokumentin e vitit 1959, shkruhet: “…në rrethin tonë, gjenden 478 persona të internuar që janë me vendime të rregullta, të ardhur më së shumti nga rrethet kufitare e tjera. Veç të tjerëve, ndodhen dhe familjet e Peshkaqenve, si të Hasan Dostit, Preng Previzit, Gjon Marka Gjonit, Abaz Ermenjit, Muharrem Bajraktarit, Mehdi Frashërit e tjera. Pjesa e madhe e këtyre kanë dhe familje, si gra e fëmijë me vete që arrin një shumë më tepër se 725 vetë.
Gjenda ekonomike e tyre në përgjithësi nuk paraqitet keq pse jo vetëm se punojnë si në Fermë, në ndërmarrjen ndërtim dhe në kantierin e Tërbufit, por ka familje nga të internuarit që u vijnë pako me plaçka të ndryshme dhe para dollar, të cilat jua dërgojnë të arratisurit që kanë jashtë. Shpërndarja e tyre është në qytetin e Lushnjes dhe Ferma 29 nëndori si në sektorin Plug-Savër-Gjazë, Rrapëz-Gradisht-Çermë dhe Thanë, pothuaj se të shpërndarë në gjithë rrethin tonë.
Konditat e strehimit të tyre nuk janë të mira, beqarët i kemi vënë në gazerma (depot), gratë dhe vajzat pa burra banojnë në gazerma(depo) të veçanta, familjarët i kemi vënë nëpër dhoma por kemi dhe familje që banojnë 2-3 dhe 4 familje në nji dhomë të vogël dhe janë kaq shtrënguar sa nuk kanë ku shtrijnë edhe këmbët kur shtrihen për të fjetur.
Në përgjithësi në kamp ku banojmë të internuarit, kemi vënë një regjim që të ketë pastërti me qëllim që të ruajmë shëndetin e tyre , por prapë kemi dyshime se nga vendi I ngushtë që janë dhe gra burra dhe çiliminjë në dhoma të vogla ka rrezik të hapen sëmundje dhe nonji epidemi.. Nga nevoja e madhe për vendstrehim i kemi marrë fermës edhe çerdhen e fëmijëve, hangarët dhe depo, ku kemi future të internuar.
Ka disa familje që kur janë internuar djemtë dhe vajzat e tyre kanë qenë të vegjël 8 deri 10 vjeç, nersa sot ata janë rritur nga 20-30 vjeç dhe kanë nevojën e martesës, por për mungesë vendi (dhome) nuk janë martuar, ose ata që janë martuar banojnë në një dhomë me gjithë pjestarët e familjes së tij dhe me familjarë të tjerë. Ka shumë kërkesa që të internuar që janë vetë dhe familjet i kanë lënë në vendlindjen e tyre, ose që janë beqar duan të sjellin familjet ose të martohen, porse për mungesë vendi nuk bajnë një veprim të tillë.
Sjellja e familjeve dhe martesa e beqarëve neve na intereson se stabilizohen me familjet e tyre dhe heqin tendencën për tu arratisur jashtë shtetit”./kujto.al
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...