Lulzim Kabashi, Lufta e UÇK-së është e pastër, nuk kam çka të fsheh

15:07 | 8 Shtator 2019
A Z

Ditën e djeshme në adresën e Komandantit të Batalionit të dytë të Brigadës 125 në Zonën Operative të Pashtrikut ka arritur një ftesë ndryshe nga të tjerat. Lulzim Kabashi, kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim.

I kontaktuar nga Express, Kabashi, i cili ka qenë edhe kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit, ka treguar se ftesën e ka marrë me datën 07 shtator.

“Ftesën e kam marrë ditën e djeshme” tha Kabashi.

I ftuari për intervistim ka treguar gjithashtu se atij i është bërë e ditur se është ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe se ende nuk di detaje tjera rreth rastit.

“Jam ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Detaje tjera nuk kam” tha Kabashi, i cili shtoi se me 24 shtator do të udhëtojë për në Hagë.

Kabashi, i cili gjatë kohës së luftës ka shërbyer në UÇK si Komandant i Batalionit të dytë të Brigadës 125 në Zonën Operative të Pashtrikut, tha se për dallim nga të tjerët, ai nuk do ta zgjedhë heshtjen, por do të flasë së nuk ka asgjë për të fshehur.

“Nuk do ta zgjedhë heshtjen. Lufta e UÇK’së ka qenë e pastër. Unë nuk kam çka të fsheh” tha ai.

Ai shtoi gjithashtu se nuk e di se për cilin rast është ftuar nga Gjykata Speciale dhe se do ta mbrojë qëndrimin e tij se UÇK ka qenë ushtri vullnetare e pranuar ndërkombëtarisht.

“Nuk i di cilat janë arsyet e ftesës. I qëndroj qëndrimit tim pa marrë parasysh se çka. UÇK si ushtri ka qenë e pranuar ndërkombëtarisht dhe ka qenë ushtri vullnetare” shtoi Kabashi.

Ftesat nga Gjykata Speciale kanë bërë që të trazohet edhe skena politike. Një ftesë e tillë i erdhi edhe Ramush Haradinajt, i cili u detyrua të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Haradinaj edhe më parë ishte ftuar dhe ndaluar nga gjykata dhe autoritete ndërkombëtare, për të dalë i pafajshëm secilën herë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme