Google ADS

Vjosa Osmani i dhimbset Anita Haradinajt, kjo është arsyeja

11:14 | 7 Shtator 2019
Arbresh.info

Anita Haradinaj, gruaja e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj në një intervistë për arbresh.info ka dhënë disa këshilla për kandidaten për kryeministre, Vjosa Osmani.
Ajo ka mirëpritur kandidaturën e Osmanit, por ka thënë se i dhimbset për shkak të periudhës së vështirë nëpër të cilën po kalon Kosova.

“Mua më vjen mirë që Vjosa e ka marrë guximin të kandidojë si kryeministre. Prej prapaskenës e di se politika në Kosovë është shumë e vështirë, terren shumë i vështirë. Mendoj që do të duhej një pjekuri, një moshë, ndoshta edhe pak është herët për Vjosën. Jo për shkak se ajo nuk është e gatshme politikisht ose e pjekur politikisht, por për shkak se më dhimbset në këtë moshë kaq të mirë të marrë kaq shumë obligime dhe përgjegjësi”, është shprehur Haradinaj.

Derisa ka folur për pozitën e gruas shqiptare, ajo ka shtuar se ka akoma vend për përmirësim.

“Por, patjetër duhet më shumë punë, më shumë angazhim, dhe na takon neve ta bëjmë, se s’ka kush tjetër ta bëjë”, vlerëson Anita Haradinaj.

Sipas saj, gruaja nuk duhet të kërkojë t’i jepet hapësira, por duhet të merret vetë me punë, përkushtim dhe konsistencë.

“Kështu që, besoj që femrat çdo ditë e më tepër po vetëdijesohen për pozitën e vet, për fuqinë që e kanë, edhe besoj që Kosova është duke ecur trendëve të mira. Gratë në Kosovë, pavarësisht proceseve, kemi tregu që gruaja është një simbol i forcës dhe rezistencës, dhe qëndresës. Dhe, ka shumë potencial në Kosovë, sidomos tek gjeneratat e reja. Mendoj se jemi duke shkuar drejt një avancimi dhe drejt një rruge të suksesshme”, është shprehur Haradinaj.

Ajo citon një thënie derisa shprehë mesazhin e saj për të gjitha gratë shqiptare.

“Nji thanie thotë ‘po ta dinte gruaja fuqinë e vet, dhe ta fusë në punë gjithë këtë, do të mund ta ribënte botën’, kështu që gruaja duhet ta njohë mirë veten, dhe fuqinë që e ka. Të jesh grua, është privilegj dhe ajo medoemos duhet ta shfrytëzojë këtë privilegj”, vlerëson Haradinaj./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme