Arabia Saudite intercepton raketë balistike të rebelëve Huthi

08:48 | 7 Shtator 2019
Arbresh.info

Mbrojtja ajrore e Arabisë Saudite ka neutralizuar në ajër një raketë balistike të shkrepur nga territori i Jemenit, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke cituar burime anonime, transmetuesi saudit Al-Arabiya tha se raketa që kishte në shënjestër rajonin jugor Najran është shkrepur nga grupi rebel Huthi në Jemen, pa dhënë detaje të tjera.

Ndërkohë, kolonel Turki al-Maliki, zëdhënës i koalicionit arab të udhëhequr nga Arabia Saudite, tha se koalicioni rrëzoi një raketë të shkrepur nga rebelët Huthi nga provinca Amran e Jemenit në drejtim të Najran-it.

Ai shtoi se raketa ka rënë në provincën Saada të Jemenit.

Nga ana tjetër, grupi Huthi tha në një deklaratë se ka shprehur një raketë balistike në drejtim të Aeroportit të Najran-it.

Yahia Sarie, zëdhënëse i grupit rebel, tha se raketa “goditi objektivin e tij me saktësi të lartë”.

Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Konflikti u përshkallëzua edhe më tej kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë, përfshirë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, filluan një fushatë masive ajrore që synonte zmbrapsjen e rebelëve Huthi.

Dhuna e vazhdueshme ka shkatërruar infrastrukturën themelore të Jemenit, duke bërë që OKB të përshkruajë situatën si “një nga katastrofat më të këqija humanitare të kohërave moderne”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme