Listat zgjedhore të partive politike me kandidatët me aktakuza

15:09 | 6 Shtator 2019
M. A.

Persona të shumtë, vazhdojnë të përballen me drejtësinë për vepra të ndryshme penale që dyshohet t’i kenë kryer gati një dekadë më parë që ndërlidhen me veprat penale të zgjedhjeve.

Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD dhe Fondacioni Uestminster për Demokraci kanë publikuar një hulumtim përmes së cilit kanë verifikuar numrin e personave me aktakuza dhe me aktvendime gjyqësore për vepra penale, të cilët kanë qenë në lista zgjedhore për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe që kanë mbajtur pozita të kabinetet qeveritare në tri legjistraturat dhe periudhat qeverisëse në Kosovë 2010-2014, 2014 – 2017 dhe 2017 – 2019.

Në zgjedhjet e vitit 2010, në garën për t’u bërë deputet kishin kandiduar dy (2) persona të cilët kishin aktakuza. Të dy kandidatë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët në atë kohë ishin në proces lidhur me aktakuzën që ata i ngarkonte për krime lufte. Nga dy kandidatët njëri prej tyre ishte zgjedhur deputetët në Kuvend.

Në zgjedhjet e vitit 2014, kishte një trend të rritjes së kandidatëve për deputetë mbi supet e të cilëve rëndonin vepra të ndryshme penale. Në këto zgjedhje ishin gjithsej 15 kandidatë me aktakuza, nga të cilët pesë (5) vinin nga PDK-ja, tre (3) që akuzoheshin për krime lufte, një (1) për mos raportim të pasurisë, ndërsa një (1) për vjedhje të rëndë. LDK – ja kishte dy (2) kandidatë të cilët akuzoheshin për vepra penale korruptive.

Nga LVV-ja, ishin pesë (5) kandidatë me aktakuza, tre (3) nga ta të akuzuar për “lëndim të lehtë trupor”, ndërsa dy (2) të tjerë për veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. NISMA për Kosovën i kishte dy (2) kandidatë të akuzuar në atë kohë, njëri që akuzohej për krime të luftës, krim të organizuar e korrupsion dhe përpos tij, akuzohej edhe një kandidat tjetër për veprën penale “lidhje e paautorizuar në shërbime”.

Ndërsa për “mos raportim të pasurisë”, akuzohej një kandidate nga komunitetet joshumicë, që i takonte partisë Vakat.

Nga gjithsej 15 kandidatë me aktakuza, 12 prej tyre ishin bërë deputetë.

Listat zgjedhore të vitit 2017, janë shembulli më i keq nga të gjitha zgjedhjet e deritashme për shkak të numrit të lartë të kandidatëve me aktakuza. Në këto lista ishin 27 kandidatë për deputet mbi të cilët rendonin aktakuza.

Në këto zgjedhje për shkak të veprimeve protestuese të tyre në Kuvendin e Kosovës rreth marrëveshjeve të Kosovës me Malin e Zi për Demarkacionin dhe atë për Asociacionin e komunave serbe, një numër i konsiderueshëm i aktakuzave kishin të bënin me hedhjen e gazit lotsjellës dhe pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Megjithatë krahas këtyre veprave kishte edhe kandidatë të tjerë për deputet të cilët akuzoheshin për korrupsion e vepra të tjera penale.

Nga 27 kandidatët me aktakuza, 15 nga i takonin LVV-së, katër (4) nga të cilët akuzoheshin për vepër terroriste, ndërsa njëmbëdhjetë (11) të tjerë akuzoheshin për veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, “përdorim i armës” dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Për veprat penale “përdorim i armës” dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, akuzoheshin edhe pesë (5) kandidatë të AAK-së, njëri nga të cilët bënte pjesë edhe në dy aktakuza për korrupsion. Ndërsa për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohej edhe një kandidate.

Nga radhët e partisë NISMA për Kosovën, akuzoheshin dy (2) kandidatë, ndaj njërit rëndonin dy aktakuza, njëra për veprat penale të krimit të organizuar e korrupsionit si dhe në një aktakuzë tjetër për krime të luftës. Ndërsa kandidati tjetër akuzohej për veprën penale “përdorim i armës dhe pengim i personit zyrtar”.

LDK-ja kishte dy (2) kandidatë me aktakuza, ku njëri akuzohej në dy raste, pra kishte dy aktakuza të ngritura ndaj tij – njërën për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa tjetrën për “shmangie nga tatimi” dhe “shpërdorim”. Ndërsa, i akuzuari tjetër ngarkohej për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Nga PDK-ja ishte një (1) kandidat i cili akuzohej për veprën penale “mundësimi i arratisjes së privuar nga liria”.

Ndërsa, nga Partia e Ashkalinjve për Integrim aktakuza kishin dy (2) kandidatë.

Prej këtyre listave, kishin arritur të zgjidhen në tërësi 21 deputetë, pra pavarësisht se kishin aktakuza, ata janë votuar nga votuesit.

Karakteristikë e kësaj legjislature, ishte se një numër i deputetëve, pas marrjes së mandatit ishin akuzuar nga Prokurori i Shtetit. Janë tetë (8) deputetë të cilët janë akuzuar për vepra të ndryshme penale, duke filluar prej sulmit deri te veprat e korrupsionit. Tre (3) prej deputetëve të akuzuar ishin nga AAK, dy (2) nga PDK  dhe nga një (1) prej NISMA, PSD dhe Partia e Bashkuar Gorane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme