Google ADS

Shuhet Dega e Alternativës në Prishtinë, akuzojnë Mimoza Kusari-Lilën

11:21 | 6 Shtator 2019
V. S.

Dega e Alternativës në Prishtinë ka njoftuar se ka ndërprerë zyrtarisht çdo formë të bashkëpunimit me partinë Alternativa.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se arsyet e ndërprerjes së bashkëpunimit kanë të bëjnë me veprimet e kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Njoftimi i plotë:

“Kryetari (ja) i/e një partie politike, përveç udhëheqës do të duhej të ishte faktori kryesor unifikues i saj, i cili pamundëson shtyrjen përpara të agjendave të caktuara personale ose grupore, ndërkohë që i promovon ato të përbashkëta partiake dhe publike. Në të kundërtën shndërrohet në faktorin kyç të përçarjes, sikurse që kemi pasur rasti të shohim edhe më parë në skenën tonë politike.

Për fat të keq, pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur edhe në partinë tonë, Alternativa, e cila, ndonëse do të duhej të ishte sinonim i promovimit të frymës së liberal-demokracisë, falë veprimeve pas shpine, e shpeshherë edhe autoritare të kryetares Kusari-Lila dhe një grupi të ngushtë përreth saj, ndikoi në përçarjen e pariparueshme të partisë.

Dega e Alternativës në Prishtinë, duke i mbetur besnike parimeve të libereal-demokracisë dhe shtyrjes përpara të interesave publike, bëri gjithçka në fuqinë e saj për të ruajtur idenë mbi të cilën edhe ishte themeluar si projekt politik. Mirëpo, ky synim i kësaj Dege, dhe i një pjese të konsiderueshme të degëve dhe anëtarësisë së Alternativës në nivel vendi, u anashkalua paturpësisht nga kryetarja Kusari-Lila dhe grupi i saj, për të çuar përpara projekte dhe ide me levërdi personale e grupore, duke anashkaluar apo nëpërkëmbur kështu të gjitha organet kryesore partiake.

Ne, si Alternativë e Prishtinës, nuk kemi qenë dhe as nuk do të jemi asnjëherë pjesë e lojërave të tilla.

Së këndejmi, për hir të të së vërtetës, dhe përgjegjësisë që kemi ndaj atyre që na besuan dhe na besojnë ende, njoftojmë opinionin e gjerë publik se, nga sot e tutje e ndërpresim edhe zyrtarisht çfarëdo forme të bashkëpunimit dhe komunikimit me Alternativën, si parti”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme