Rama i “dhuron” shtëpinë e re familjes së varfër

09:05 | 6 Shtator 2019
Arbresh.info

Kujtim Sharku, nga fshati Pishaj i Gramshit mirëpriti Kryeministrin Rama dhe Ministren e Shëndetësisë dhe mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në shtëpinë e tij të re. Tashmë kushtet e vështira në një shtëpi të rrënuar, ku jetonin bashkë me katër fëmijët, janë një kujtim në mendjet e tyre. “Shtëpia ka qenë në gjendje shumë të keqe, e rrënuar totalisht”, – tha ministrja Manastirliu.

Familja Sharku, e cila është në skemën e ndihmës ekonomike, tashmë ka një strehë të vërtetë. Fëmijët e familjes, në këtë fillim viti të ri shkollor do të marrin edhe librat falas pas nismës së qeverisë për shpërndarjen e librave falas për të gjithë fëmijët në vend.

“Nuk ma merrte mendja kurrë të bëhej kështu” – tha zonja e shtëpisë në bisedë e sipër me kryeministrin i cili përgëzoi fëmijët e saj për vullnetit dhe pasionin për të mësuar në shkollë, si të vetmen rrugë, e cila mund t’i krijojë nesër kushte edhe më të mira. “Ajo që është kryesorja dhe që është një mësim i madh për të gjithë është që në të gjitha këto shtëpitë e shkatërruara janë nxënëse dhe nxënës shembullor. Asnjë justifikim që mund të justifikoheshin me “nuk kemi këtë e nuk kemi atë”, por në fakt në këto shtëpi që kemi rindërtuar, ka të tjera për t’i bërë e do t’i bëjmë patjetër, gjithë fjala s’kemi, ia ka lënë vendin fjalës dua të mësoj”, – the Kryeministri.

Familjet në nevojë si ajo e Zotit Sharku nuk janë të shumta, megjithatë Kryeministri nënvizoi se puna do të vazhdojë me këtë nismë duke e zgjeruar atë edhe më shumë. “Tani po bëjmë një inventar të këtyre situatave dhe do vazhdojmë dhe më shumë. Kemi disa ide të reja për këtë punë, që të jetë diçka edhe më e organizuar, të bashkëpunojmë në mënyrë më të strukturuar me grupet e vullnetarëve që bëjnë gjëra të tilla dhe t’ju japim mundësi dhe të tjerëve që të mund të dalin nga këto situata të tmerrshme”, – theksoi Kryeministri Rama./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme