Google ADS

Revokueshmëria e njohjes në të drejtën ndërkombëtare

14:09 | 5 Shtator 2019
arbresh.info

Këtë periudhë elektorale në Kosovë do të flitet edhe për këtë model të pazakontë të ndërtimit të raporteve ndërshtetërore, për çka laikët e së drejtës ndërkombëtare, do të abuzojnë kryesisht për qëllime politike, me këtë institut të rëndësishëm në të drejtën ndërkombëtare.

Njohja e një shteti nga një shtet tjetër nuk është një kontratë ose një dhuratë e falur. Është një deklarim i aftësisë dhe pëlqimit për ta pranuar shtetin tjetër, siç përcaktohet nga faktet objektive. Këto fakte nuk janë domosdoshmërisht të qëndrueshme. Një shtet mund të humbasë pavarësinë e tij ose shkallën e nevojshme të kohezionit si një komunitet i organizuar; një qeveri mund të pushojë së zotëruari autoritet efektiv mbi territorin e tij; një organizatë kryengritëse e njohur ndërkombëtarisht mund ta humbas luftën dhe të mposhtet tërësisht. Në të gjitha këto raste, baza e njohjes zhduket, dhe shtetet njohëse kanë të drejtë ta marrin në konsideratë revokimin e njohjes për shtetin ose palën kryengritëse, të njohur më parë.

Efektet e njohjes

Ekzistojnë dy lloje të njohjes që llogariten të jenë si më kryesoret në të drejtën ndërkombëtare. Njohja de jure dhe njohja de fakto. Sidoqoftë, konsiderohet se njohja “de jure” është e pakthyeshme, ndërsa njohja “de facto” mund të tërhiqet. Në të vërtetë, në kuptimin politik njohja e secilit lloj mund të tërhiqet gjithmonë, ndërsa në kuptimin juridik nuk mund të bëhet përveç nëse ndryshimi i rrethanave kërkon një tërheqje të tillë.

Revokueshmëria e njohjes

Në të drejtën ndërkombëtare ekzistojnë dy teori që e mbështesin institutin e njohjes. Është teoria deklarative dhe teoria konstituive. Njohja, sipas pikëpamjes deklarative, është një njohje nga një shtet i vjetër për faktin e ekzistencës së një shteti ose një qeverie të re, ai nuk është një akt që kërkon vazhdim të veprimit, por një akt i harxhuar (shteruar) në momentin kur është realizuar. Kur shpallet njohja, ajo ekziston njëherë e përgjithmonë, çka domethënë se pranohet ekzistenca; nuk ka asgjë për të tërhequr, përveç nëse, ndoshta, njohja është një gabim fakti. Një shtet ose qeveri në posedim të kërkesave thelbësore të shtetësisë të përmbushura [kriteret e Montevideos, 1933: (a) territori i përcaktuar, b) popullësia e perhershme, (c) qeveria; dhe (d) aftësia për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera] ekziston dhe vazhdon të ekzistojë, pavarësisht nga njohja ose ‘tërheqja’ e njohjes. Zhdukja e ndonjë ose e të gjitha këtyre kërkesave e përfundojnë ekzistencën e Shtetit ose të qeverisë. Por përfundimi i tillë i ekzistencës nuk është as shkak dhe as rezultat i përfundimit të njohjes. Marrja e njoftimit për mosekzistencën e njësisë ekzistuese më parë nga Shteti i huaj është një akt i ri i njohjes së një fakti të ri, dhe jo tërheqja e njohjes së mëparshme.

Ndërsa nëse, sipas pikëpamjes konstitutive, një shtet bëhet subjekt i së drejtës ndërkombëtare përmes njohjes, mund të supozohet se do të ishte i hapur për shtetin njohës për ta tërhequr njohjen e saj dhe në këtë mënyrë të jashtëligjshme, shfarosjes dhe të shuarjes ligjore të një jete të cilën vetë e ka krijuar dikur. Një teori e tillë, nëse përkrahet, do të vendosë një arsye të fortë për agresion. Kjo do t’i mundësonte një Shteti agresor të përfitojë nga ligji i xhunglës duke e privuar së pari viktimën e saj nga mbrojtja e ligjit ndërkombëtar.

Një sugjerim tjetër është që, ndërsa njohja de jure është përfundimtare, njohja de fakto mund të jetë subjekt i revokimit.

Vështirësia për të mbajtur këtë pikëpamje qëndron në faktin se dallimi midis njohjes de jure dhe de-fakto është më tepër politik sesa juridik. Nga pikëpamja juridike, njohja de fakto është më shumë dëshmi e ekzistencës së Shtetit ose qeverisë se sa që është njohja de jure.

Mund të thuhet se tërheqja e njohjes, në kuptim të një konfirmimi të përfundimit të ekzistencës së Shtetit ose qeverisë nuk bëjnë asnjë dallim midis njohjes de jure dhe njohjes de fakto.

Sipas, profesorit të mirënjohur, Hersch Lauterpacht, ndonjëherë, megjithëse rrallë, ajo që përshkruhet si tërheqje e njohjes është në të vërtetë një përgënjeshtrim i njohjes. Në një rast të tillë, nuk ka juridikisht asnjë njohje “ab initio”. Mund të ketë lindur nga veprimet e paautorizuara të zyrtarëve qeveritarë ose keqpërdorimi i fakteve. Pasi të jetë zbuluar fatkeqësia dhe veprimi i papranuar, njohja duhet të konsiderohet se nuk është akorduar kurrë.

Në vend të përfundimit

Republika e Kosovës si entitet politiko-juridik është në posedim të plotë të të katër kritereve të Montevideos, prandaj revokimi i njohjeve nga disa shtete, të botës së tretë, është i pambështetur ligjërisht në baza të së drejtës ndërkombëtare.

Baza teorike e revokimit të njohjes është e nënkuptuar në përcaktimin pozitiv të asaj që një shtet ekziston. Kosova kësisoji ekziston dhe nuk është shuar as qeveria e saj as Deklarata e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk ka ndërruar.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe diplomacia agresive e realizuar përmes “dollarit” e kësaj të fundit, me patjetër që kanë ndikuar në revokimin e disa njohjeve nga disa shtete, kryesisht të botës së tretë.

Absolutisht një revokim i tillë është më tepër një akt politik se sa një akt juridik, sepse vërtetësia e fakteve mbi të cilën Kosova është deklaruar si e mëvetsishme në 17 shkurt 2008, nuk është kontestuar dhe as zhvlerësuar nga kriteret fundamentale të së drejtës ndërkombëtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme