Zgjedhjet e 30 qershorit, OSBE/ODIHR nxjerr raportin përfundimtar

21:22 | 4 Shtator 2019
Trina Galanxhi

OSBE/ODIHR ka publikuar sot raportin final të zgjedhjeve të 30 qershorit, raport të cilin “News 24” dhe “BalkanWeb” e sjellin ekskluzivisht për opinionin publik.

Ky organizëm ndërkombëtar është shprehur se kriza politike ndikoi negativisht në të drejtën për të votuar, ndërsa thotë se u cenua fshehtësia e votës në disa qendra votimi.

Në raportin përfundimtar, i cili përbëhet nga 34 faqe, OSBE/ODIHR ka analizuar me detaje të gjitha fushat duke adresuar të gjitha shkeljet e mundshme si në spektrin e e përgjithshëm politik e deri tek çështjet ligjore.

Gjithashtu në raportin final të OSBE/ODIHR  thuhet se disa nga rekomandimet e dhënë prej saj në zgjedhjet e shkuara në Shqipëri, në 30 qershor nuk gjetën zbatim. Mes tjerash, OSBE/ODIHR një analizë të detajuar ka bërë për protestën e opozitës së bashkuar, për të cilën thotë se përdori dhunë ndaj institucioneve, përfshirë edhe zyrën e kryeministrit.

Gjithashtu, raporti thekson se mos publikimi i dekretit të Presidentit, Ilir Meta në Fletoren Zyrtare është i paligjshëm.

ODIRH evidenton se Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik. Mirëpo, “Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”.

Për shkak të situatës së pazakontë me zgjedhjet pa garë në 30 Qershor, ODIHR specifikon se “nuk ka dispozita të posaçme për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtar dhe nuk ka kërkesë minimale ligjore për pjesëmarrjen e votuesve për vlefshmërinë e rezultatit”. Pra është vështirë të kuptohet nëse kjo situatë lejohet apo jo ligjërisht.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme