Google ADS

Daka shpjegon procedurat që duhet ndjekur votuesit jashtë Kosovës

20:44 | 4 Shtator 2019
L G

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka shpjeguar procedurat që duhet ndjekur votuesit që janë jashtë Kosovës, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Daka tha se që nga dita e djeshme (3 korrik) ka filluar afati për ndryshimin e qendrave të votimit.

“Secili qytetarë mund të gjejë se ku mund të votojë, është makina kërkuese në web faqen tonë dhe me numrin personal mund të kontrollojnë se ku e ka qendrën e votimit, dhe nëse konsideron se nuk i mundësohet votimi në mënyrë të drejtë në atë qendër,  mund të kërkojë të ndryshojë qendrën”, ka thënë Daka.

Ajo tha se votuesit nga diaspora mund të vijnë të votojnë fizikisht në Kosovë, mirëpo munden të votojnë edhe përmes postës.

“Koha është jashtëzakonisht e shkurtë, afatet shkurtohen dhe procedura për votim jashtë Kosovës është e  komplikuar, është procedurë ligjore që nuk mund ta ndryshojmë. Mirëpo KQZ ka shkuar përtej ligjit, dhe ua ka mundësuar votuesve që të regjistrohen përmes e-mail. Deri tani kemi pranuar disa e-mail të cilët kanë aplikuar për tu regjistruar, të cilët do të verifikohen se a do të mund të votojnë”, pohoi ajo.

Daka vuri në pah se pavarësisht procedurës që është e komplikuar, deri tani gjërat kanë shkuar në rregull.

“E-mail janë duke ardhur në postën tonë elektronike, dhe pas përfundimit të afatit do të bëjmë të pamundurën t’i njoftojmë qytetarët se a do të mund të votojnë”, theksoi ajo.

Kryetarja Daka tha se data 6 shtator, do të jetë afati i fundit kur partitë do të mund të bëjnë regjistrimin e listave me kandidatët për deputetë.

“Nuk do të kenë tjetër mundësi, janë afate ligjore, dhe të gjitha subjektet politike që janë të interesuar të garojnë në këto zgjedhje janë informuar në kohë dhe besoj që të gjithë ata që dëshirojnë do t’i sjellin deri në ora 00:00 në KQZ”, deklaroi ajo.

Daka potencoi se kësaj radhe do të mundohen të dalin më herët me rezultate preliminare.

“Do të bëjmë atë që është mundur që të dalim më herët me rezultate, mos harroni se rezultatet tona janë zyrtare ndërsa rezultatet e vëzhguesve janë gjithmonë të vëzhguesve dhe ata nuk kanë të drejtë të japin rezultate, ne duhet të sigurohem që rezultatet qofshin ato preliminare, të jenë të sakta. Ndoshta jo 100 për qind të sakta, sepse tek rezultatet preliminare ekziston mundësia të ketë gabime teknike, por ne gjithmonë dëshirojmë që në mënyrë të saktë t’i pasqyrojmë ato që kanë ndodhur në ditën e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.

Në fund kryetarja e KQZ-së, bëri thirrje tek qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën për votim, ndërsa për partitë politike ajo tha se duhet të respektojnë Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe të mos e dëmtojnë ditën e zgjedhjeve me tentime për manipulim. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme