Ligji për gjuhët po has në probleme, Sela: Të formohet inspektorati

19:37 | 4 Shtator 2019
L G

Edhe pas 9 muajsh hyrje në fuqi të ligjit për përdorimin e gjuhëve, ai nuk po gjen zbatimin e tij.

Drejtori Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve Ylber Sela, tha se Ministria e Drejtësisë, duhet të përshpejtojë procedurat për formimin e Inspektoratit i cili duhet të mbikëqyrë zbatimin e ligjit dhe sa më parë të zgjidhet drejtori i atij institucioni, pasi deri në vitin 2020 mbaron afati që kanë institucionet për përdorimin e gjuhëve.

“Dua ta them hapur se është vonuar, është dashur më herët sepse ne jemi të lidhur sepse njerëzit nuk janë shumë të informuar, dhe po drejtohen tek unë se çka bën agjencia. Ne nuk kemi kompetenca për mbikëqyrje por këtë e ka inspektorati. Sa më herët të krijohet ky inspektorat, aq më mirë për ne sepse parashihet që një institucion i cili nuk zbaton ligjin , atëherë ka gjoba dhe këtë e bën që të përshpejtojë procesin e zbatimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve”, deklaroi Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve.

Drejtori Sela, akuzoi kryetarin e Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, ku tash e 1 muaj refuzon takimin me të. Sela ka shfaqur gatishmëri që të kontribuojë në përmirësimin e këtij institucioni për zbatimin e gjuhës shqipe. Sipas tij, në disa institucione që drejtohen nga Qyteti i Shkupit, pjesërisht përdoret gjuha shqipe si gjuhë zyrtare. I pari i Qytetit të Shkupit i është përgjigjur Selës.

“Fatkeqësisht kërkesa për takim ka ndodhur gjatë periudhës së pushimeve dhe kjo ka rezultuar në shtyerje të takimit me z. Ylber Selën. Ne si qytet, jemi të hapur me të gjitha institucionet dhe deri më tani nuk kemi pasur probleme të kësaj natyre. Takimi konkret me z.Selën është caktuar të mbahet në muajin shtator”, tha Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Sipas Ylber Selës në institucionet të cilat janë në kompetenca të Qytetit të Shkupit, ku drejtohen vetëm nga maqedonasit aty parcialisht përdoret gjuha shqipe si gjuhë zyrtare. E aty ku drejtohen nga shqiptarët, ligji po zbatohet ashtu siç duhet. Buxheti i Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga viti i kaluar ishte 8 milonë e 437 mijë denarë. Por me rebalancin e buxhetit të një dite më parë këtij institucioni i është gjashtëfishuar buxheti i asgjencisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme