Hoti dhe Muhaxheri diskutojnë për sukseset e garës së Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik

11:20 | 4 Shtator 2019
V. S.

Koordinatori Hoti u prit në takim nga Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Sipas njoftimit, koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti sot u prit në takim nga kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Koordinatori Hoti dhe kryetari Muhaxheri biseduan rreth zhvillimit dhe sukseseve në garat e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik si dhe Diturisë gara këto të zhvilluara në kuadër të Programit Nacional për Rini.

“Peja ka treguar rezultate shumë të mira në gjitha nivelet e garave paraprake. Përmes Programit Nacional për Rininë për herë të parë po e institucionalizojmë sportin në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës. Si një vend me traditë në organizmin e ngjarjeve sportive, nuk dyshoj edhe në sukseset tuaja në Garën Nacionale të Sportit e cila do të fillojë këtë muaj. Garat do të zhvillohen në tri nivele, shkollor, komunal dhe republikan ”, theksoi Koordinatori Hoti.

E kryetari Muhaxheri theksoi faktin që Garat e Programit Nacional për Rininë kanë pasur efekte pozitive tek nxënësit, ai pos tjerash shprehi gatishmërinë për mbështetjen e garave të sportit, duke potencuar edhe procedurat financiare që duhet ndërmarrë në realizmin e këtyre garave.

Komuna e Pejës në garën e mbajtur të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik vetëm për nivelin shkollor ka pasur 919 nxënës fitues, kurse në atë komunal dhe republikan kishte 124 përkatësisht 31 nxënës fitues. Kurse për Garën Nacionale të Diturisë për nivelin shkollor ka pasur 1095 nxënës fitues, nivelin komunal 79 dhe nivelin republikan 7 nxënës fitues.

Programi Nacional për Rininë në vitin e ri shkollor 2019-2020 do të fillojë nga muaji shtator me Garat Nacionale në Sport dhe ato në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik duke u ofruar mundësinë e pjesëmarrjes të gjithë nxënësve nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme