Institucioni i Avokatit të Popullit e ka konsideruar si të turpshme, dhe të padenjë gjuhën e përdorur ditën e sotme nga nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Myslim Murrizi gjatë një konference për shtyp ku kërkoi falje për fyerjet e lëshuara disa ditë më herët në adresë të personave me aftësi të kufizuara.
Avokati i Popullit thekson se edhe pse qëndrimet e tyre janë institucionale, zoti Murrizi ka veçuar faktin që titullarja e këtij institucioni është një grua, për t’iu drejtuar asaj me përbuzje si të ishte një qenie e një shtrese inferiore e cila duhet të heshtë kur ai përdhos i pashqetësuar komunitete të gjera qytetarësh, duke dëshmuar kështu përçmimin dhe arrogancën që ai ndjen ndaj gjinisë femërore në përgjithësi dhe sidomos ndaj grave në pozicione zyrtare në veçanti.
Avokati i Popullit i bëri thirrje drejtuesve të Kuvendit që në mënyrë të menjëhershme të marrin masa për ndëshkimin e kësaj sjelljeje në dëm të shtresave të ndryshme vulnerabël të shoqërisë sonë, teksa shtoi se do ta referojë këtë episod të shëmtuar në institucionet më të larta europiane dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe faktorëve të tjerë diplomatikë.
Reagimi i plotë:
AVOKATI I POPULLIT BEN THIRRJE PER MASA URGJENTE NDAJ MANIFESTIMIT TE URREJTJES GJINORE NE KUVENDIN E SHQIPERISE
Avokati i Popullit e konsideron si të turpshme, të papranueshme dhe të padenjë gjuhën e përdorur ditën e sotme nga nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Myslim Murrizi gjatë një konference për shtyp në të cilën presupozohej që do të dëshmohej pendesa e zotit Murrizi për fyerjet e lëshuara prej tij disa ditë më herët në adresë të personave me aftësi të kufizuara.
Me një fjalor që shpreh qartë mendësinë e tij seksiste dhe misogjine, zoti nënkryetar i Kuvendit i është referuar një deklarate të institucionit të Avokatit të Popullit ku denoncohej pikërisht ajo sjellje për të cilën zoti Murrizi po kërkonte ndjesë në deklaratën e tij në ato momente, për të vënë në shënjestër titullaren e institucionit me një fjalor denigrues dhe poshtërues.
Edhe pse qëndrimet e Avokatit të Popullit janë institucionale, zoti nënkryetar i Kuvendit ka veçuar faktin që titullarja e këtij institucioni është një grua, për t’iu drejtuar asaj me përbuzje si të ishte një qenie e një shtrese inferiore e cila duhet të heshtë kur ai përdhos i pashqetësuar me fjalorin e tij komunitete të gjera qytetarësh të disavantazhuar të shoqërisë sonë.
Gjithashtu terminologjia vulgare e përdorur nga zoti Murrizi kundrejt titullares së institucionit të Avokatit të Popullit, është një dëshmi shtesë e përçmimit dhe arrogancës që ai ndjen ndaj gjinisë femërore në përgjithësi dhe sidomos ndaj grave në pozicione zyrtare në veçanti.
Avokati i Popullit është një institucion i pavarur kushtetues në Republikën e Shqipërisë andaj manifestimi flagrant i shpërfilljes ndaj tij si ky rast i fundit me zotin nënkryetar të Kuvendit, duhet të kthehet në një këmbanë alarmi për nivelin fundor ku ka mbërritur respektimi i mekanizmave të tillë si ky institucion nga vendimmarrësit publikë.
Institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje zotit Murrizi të rilexojë ose të lexojë Raportin Vjetor që Avokati i Popullit ka paraqitur në Kuvend ku edhe ai ka qenë i pranishëm, për t’u njohur me kornizën e të drejtave të njeriut që duhet të mbrohen dhe promovohen nga shteti shqiptar dhe posaçërisht me nevojën për frenimin e gjuhës së urrejtjes nga zyrtarët publikë.
Avokati i Popullit i bën thirrje drejtuesve të Kuvendit që në mënyrë të menjëhershme dhe shembullore të marrin masa për ndëshkimin e kësaj sjelljeje të papranueshme intimiduese dhe të përsëritur nga ana e zotit Myslim Murrizi në dëm të shtresave të ndryshme vulnerabël të shoqërisë sonë, ku përfshihen edhe gratë.
Vetëm duke vepruar energjikisht e pa u mjaftuar me tërheqje sipërfaqësore vërejtjesh të cilat me sa duket thjesht justifikojnë mendësinë skandaloze të urrejtjes gjinore e të kategorive të tjera sociale në Shqipëri, mund të jepet më në fund një provë serioze se vendi ynë e ka seriozisht përpjekjen e tij për emancipim dhe europianizim.
Avokati i Popullit do ta referojë këtë episod të shëmtuar, të shndërruar në vijë sjelljeje nga ana e disa përfaqësuesve tanë publikë, në institucionet më të larta europiane dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe faktorëve të tjerë diplomatikë.
Gjithashtu Avokati i Popullit u bën thirrje deputeteve, politikaneve, intelektualeve gra si dhe komunitetit të mbrojtjes së të drejtave të grave në shoqërinë civile që bashkarisht të distancohen dhe të dënojnë këtë shfaqje brutale dhe arrogante të urrejtjes gjinore nga një përfaqësues politik në Kuvendin e Shqipërisë.
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdh...
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...