Google ADS

Edhe Vetëvendosje refuzon paktin e Veselit

18:06 | 3 Shtator 2019
Arbresh.info

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i është përgjigjur ofertës së Kadri Veselit rreth dokumentit të quajtur Pakti Kundër Korrupsionit, të cilin e ka propozuar vetë ai. Ishte Veseli ai që e nënshkroi, ndërsa më pas ai i bëri ftesë publike të gjitha partive politike që ky dokument të nënshkruhet edhe nga ata. Por kjo ide, ka hasur në refuzim të plotë nga të gjitha partitë politike në vend.

I kontaktuar nga Express, Selimi ka thënë se qytetarët e Kosovës do ta nënshkruajnë Paktin Kundër Korrupsionit. E këtë, ata mund ta bëjnë duke e votuar më 6 tetor Lëvizjen Vetëvendosje.

“Paktin kundër korrupsionit do ta nënshkruajnë qytetarët e Kosovës me datën 6 Tetor duke e votuar Lëvizjen Vetëvendosje” tha Selimi.

Ai tutje shtoi se ka qenë vetë Kadri Veseli dhe partia e tij ata të cilët e kanë “kultivuar” korrupsionin në vend.

“… (qytetarët) duke i dhëne goditje korrupsionit dhe partive qe e kane “kultivuar” korrupsionin, e që njëra ndër to është edhe partia të cilës i prinë Z, Veseli.” tha Selimi

Dokumentin e quajtur Pakti Kundër Korrupsionit, i cili u nënshkrua nga kreu i PDK’së, Kadri Veseli është refuzuar nga të gjitha partitë politike në vend.

Këto propozime nga Veseli po u duken qesharake zyrtarëve të partisë së Isa Mustafës, pra LDK-së. Sekretari i këtij subjekti politik, Ismet Beqiri, ka deklaruar për Express se ky propozim i PDK-së është pjesë e një fushate qesharake dhe të pakripë.

“Së pari duhet ta dimë se Veseli nuk është në pozitën të flasë për luftën kundër korrupsionit. Një pako e tillë dhe një kërkesë e tillë është hipokrizi. Me iu ofrua pako për nënshkrim të tjerëve për gjërat që PDK i ka bërë ndër vite, pra që nga qeverisja e pasluftës, është pak qesharake”, ka deklaruar Beqiri për Express.

Edhe këshilltari i Ramush Haradinajt, Erolld Belegu, i ishte përgjigjur ftesës së Kadri Veselit ndaj liderëve të tjerë të vendit për ta nënshkruar dokumentin prej dhjetë pikave për luftimin e korrupsionit. Duke thënë se sa është qesharake aq edhe e dhimbshme.

“Kadri Veseli thërret për luftë kundër korrupsionit. Qesharake apo e dhimbshme? Apo të dyjat?”, shkroi Belegu.

Edhe PSD-ja ka refuzuar ta nënshkruajë atë. Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

“PDK duhet të shkojë në opozitë. I ka bërë mjaft dëme vendit. Sigurisht që nuk do të nënshkruajmë asgjë që propozohet nga PDK-ja. Qytetarët do të vendosin me votë se kush do t’i përfaqësojë”, tha Kuçi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme