Google ADS

Kina ankohet në OBT për tarifat e SHBA-së

19:02 | 2 Shtator 2019
Arbresh.info

Kina u ankua në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), për shkak të tarifave të reja që u kanë vënë Shtetet e Bashkuara mallrave kineze.

SHBA-ja nisi të dielën me aplikimin e taksës 15% mbi mallra të ndryshme kineze, ndërsa Kina u përgjigj me tarifa të reja mbi naftën e papërpunuar amerikane.

Këta janë hapat e fundit në luftën tregtare midis dy vendeve.

Kina nuk dha detaje se çfarë përmban ankesa e saj, por tha se tarifat e SHBA-së prekin 300 miliardë dollarë të eksporteve kineze.

“Veprimet e fundit tarifore shkelin konsensusin e arritur nga udhëheqësit e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në një takim në Osaka”, tha përmes një deklarate Ministria e Tregtisë e Kinës.

“Kina do t’i mbrojë të drejtat e saj ligjore në përputhje me rregullat e OBT-së”, tha ajo.

Ankesa është e treta e tillë e Pekinit në OBT – organizatë ndërkombëtare që i kufizon tarifat që secili vend lejohet t’i vendosë.

Zyrtarët e SHBA-së thonë se po e penalizojnë Kinën për vjedhje të pronës intelektuale, që nuk është e përfshirë në rregullat e OBT-së.

Megjithëse, shumë ekspertë të tregtisë thonë se çdo rritje e tarifave mbi maksimumin e lejuar duhet të justifikohet në OBT.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme