Google ADS

Qeveria e nis sesionin e ri parlamentar me “ofensivë” ndaj Presidentit Meta

17:56 | 2 Shtator 2019
L G

Sesioni i ri parlamentar nis këtë të hënë pasdite, teksa socialistët duket se kanë vendosur që ta hapin “sezonin” me një ofensivë totale ndaj Presidentit Meta.

Këtë pasdite pritet që socialistët të njoftojnë rrëzimin e  të gjitha ligjeve që Presidenti nuk ka dekretuar. Socialistët kanë marrë vendim t’i rrëzojnë të 9 dekretet e kreut te shtetit, mes të cilave dhe ato që kthen për rishqyrtim, ndryshimet në Kodin Penal, ligjin për koncesionet, për Akademinë e Shkencave apo atë të dy kontratave koncesionare për dy vepra të mëdha publike siç është rruga Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.

4 të parat pritet të shqyrtohen në seancën e 12 shtatorit, ndërsa 5 projekligjet më të nxehta të cilat Meta refuzoi t’i firmosë, janë lënë për datën 19 shtator. Puna do të nisë ditën e nesërme në komisionet parlamentare, të cilat pritet të votojnë kundër dekreteve të Metës, ndërsa më tutje Parlamenti do të votojë rrëzimin e tyre.

Nga ana tjetër, ditën e nesërme rreth orës 12:00, pritet të mblidhet komisioni hetimor parlamentar që do të kërkojë shkarkimin e Presidentit. Vetë Meta pritet të dalë përballë komisioni hetimor në një tjetër datë, ndërsa verdikti për shkarkimin ose jo të tij i takon Gjykatës Kushtetuese, ende jo funksionale.

Një tjetër pikë mbetet ajo e ndryshimeve të kodit zgjedhor, një çështje mjaft e ndjeshme pasi opozita nuk ka pranuar t’i bashkohet komisionit të posaçëm, mandati i të cilit përfundon në nëntor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme