Në vend se 3 km banorët udhëtojnë 33 km, kufiri Llojan-Miratoc nuk është prioritet për autoritetet

20:06 | 1 Shtator 2019
Arbresh.info

Tre kilometra është largësia mes fshatrave Llojan dhe Miratoc, por vija kufitare që i ndanë këto fshatra e dhjetëfishon relacionin e këtyre dy vendeve që njëri është në zonën e Maqedonisë së Veriut e tjetri në Serbi.

Më herët banorët kanë lëvizur në këmbë nga njëri fshat në tjetrin, me çka ka pasur edhe lidhje martesore, e që tanimë ata janë lidhur familjarisht.

Por sot një llojanas detyrohet të udhëtoj 33 km rrugë për të arritur deri në Miratoc. Autoritetet tashmë 16 vjet në çdo cikël zgjedhor premtojnë hapjen e një pike kufitare ndërmjet fshatrave.

Para dy muajve zëvendës-kryeministri i Qeverisë, Bujar Osmani për TV21, tha se problemi për mos hapjen e kufirit, Llojan-Miratoc qëndron te Serbia.

“Për momentin qëndrimi zyrtar i Serbisë sa i takon pikës kufitare Llojan-Miratoc është se ata nuk kanë interes të hapin këtë pikë kufitare për shkak se vlerësojnë se nuk është kostefektive, ose për shkak se sipas tyre do ju citoj qëndrimin e Serbisë se 13 kilometra afër asaj pike kufitare është pika kufitare Tabanovc dhe për disa kalime gjatë ditës ata nuk kanë llogari të mbajnë atje, njerëz, infrastrukturë. Mirëpo ne këtu nuk i kemi ndal përpjekjet”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

Për hapjen e këtij kufiri folën edhe kryemintrat e të dy vendeve. Edhe Bërnabiq edhe Zaev thanë se për momentin hapja e këtij kufiri nuk është prioritet.

“E di që ekziston nevoja për banorët e asaj zone, por nga konstatimet e grupeve të punës për këtë çështje, do të shohim në të ardhmen a do të ketë logjik të hapet ky vendkalim kufitar. Kjo është çështje e resurseve, kohës. Nuk ekziston dilemë politike apo çështje e diskutueshme që i ikim ne, por kemi formuar grupe të punës të vlerësojmë se kjo pikë kufitare vetëm 17 km larg kufirit shtetëror Tabanoc-Preshevë, por për momentin nuk është prioritet i yni”, u shpreh kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Bëhet fjalë për familjet në dy anët e kufirit dhe nga këtu vijnë kërkesat. Këtu jemi që gjithçka të bëjmë për të mirën e qytetarëve. Por duhet të gjejmë mënyrë se si do ta mbajmë atë kufi, sa shërbime duhet të punojnë atje, për oraret e punës. Kështu që mbetemi të fokusuar në këtë çështje me qëllim që të dalim në shërbim të qytetarëve, por analizat janë për ato arsye se s’ka leverdi”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ndryshe marrëveshje për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc ka pasur në vitin 2005, por u bënë 14 vjet dhe kjo çështje mbetet vetëm dëshirë e banorëve të dy fshatrave fqinje./TV21/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme