Krasniqi: Është rritur importi dhe çmimi i disa mallrave pas taksës 100 përqind

12:43 | 1 Shtator 2019
Arditë Shkodra

Edhe pse katër komunat veriore të Kosovës kishin refuzuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK) ka futur në sistem edhe këto komuna për vlerësim të popullsisë që është bërë për vitin 2018, e që tregon se në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, numri i banorëve është 41 mijë banorë.

Kryeshefi i Agjecnisë së Kosovës, Isa Krasniqi thotë se në bazë të regjistrimit në vitin 2011 dhe vlerësimit të popullsisë për vitin 2018, në tërë Republikën e Kosovës numri i banorëve është  1 milion e 795 mijë e 666.

Krasniqi thotë regjistrimi i ardhshëm në Republikën e Kosovës sipas standardeve dhe rregullit Evropian dhe Botëror, do të mbahet në vitin 2021, ku janë duke u zhvilluar edhe përgatitjet.

“Ne po flasim për popullatën e Republikë së Kosovës, në totalin e territorit të Kosovës, duke përshirë çdo pjesë të Republikës së Kosovës. Pra, ne kemi bërë vlerësim, pavarësisht se ndoshta mund të keqkuptohet, pasi që në vitin 2011 kemi pasur një refuzim të katër komunave të Republikës së Kosovës në veri, mirëpo Agjencia e Statistikave të Kosovës ka shfrytëzuar burimet të ndryshme dhe shumë të rëndësishme dhe ka bërë vlerësim për atë pjesë duke e futur pastaj në përllogaritjen e popullsisë totale”, thotë Krasniqi.

Kreu i ASK-së duke folur për tregtinë e jashtme, deklaron se importi i mallrave është rritur në periudhën e fundit, pavarësisht vendosjes së taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe rritjes së eksportit të Kosovës.

Ai thekson se për politikbërësit ky sinjal është i rëndësishëm për vendosjen e  politikave zhvillimore për të ardhmen.

“Rënia e importit nga shteti fqinjë verior është jashtëzakonisht i madh. Pra, kemi një rënie jashtëzakonisht të madhe të importit, por importi i mallrave të caktuara është zëvendësuar me import nga vendet tjera. Në kuptimin e importit si total mujor, apo në këtë periudhën prej momentit të vendosjes së taksës 100 përqind, është rritë importi, por rritja është jo te fqinji verior, por tek vendet tjera që kanë ndërmjetësua mallrat të cilat dikur janë importuar nga ai(Serbia) vend”, deklaron ai.  

Krasniqi po ashtu thotë se në periudhën e fundit ka edhe një ngritje të çmimeve të disa produkteve të konsumit të përditshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, për GDP-në, Krasniqi thotë se ka një rritje krahasuar me vendet e rajonit, që është pak mbi 4 përqind në dy vitet e fundit, sipas të cilit është e qëndrueshme.

“Për vitin 2017, kemi një përqindje prej pak mbi 4 përqind, por edhe në publikimin e fundit tre mujor që e kemi publikuar për tremujorin e parë të vitit 2019, është aty(pak mbi 4 përqind). Pra, kemi një rritje të qëndrueshme të GDP-së, ndërsa, është aspekt tjetër se si shfrytëzohen këto nga institucionet vendimmarrëse këto të dhëna që me politika zhvillimore të shndërrohen këto shifra të rritjes ekonomike edhe në aspektin e rritjes së vendeve të punës, në zhvillimet e sektorëve të tjerë si dhe shumë fusha të tjera”, thotë Krasniqi.  

Për shkallën e papunësisë, kryeshefi i ASK-së Isa Krasniqi, thotë se ka një rënie të papunësisë nga 30.1 përqind në 26.9 përqind.

Sipas tij, për tre mujorit të parë të vitit 2019, shkalla e papunësisë në Republikën e Kosovës është 26.9 përqind. 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme