Google ADS

Prokuroria shpreson se deri në tetor e marrin ekspertizën nga Zvicra për Astrit Deharin

11:22 | 1 Shtator 2019
L G

Janë bërë më shumë se 1 vit që nga koha kur lënda për vdekjen e Astrit Deharit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për ekspertizë.

Por, edhe pas tërë këtyre muajve ende nuk ka ndonjë rezultat. Në Prokurori thonë se është tepruar me vonesa, derisa shpresojnë që rezultatet të kthehen gjatë dy muajve të ardhshëm.

Prokurori Metush Biraj  ka thënë se ata ende janë në pritje të ekspertizës nga Zvicra.

Biraj thotë se kanë bërë parashkresë që të shpejtohet rasti, derisa shpreson që rezultatet të dalin gjatë dy muajve të ardhshëm.

“Jo, ende nuk ka asgjë të re lidhur me rastin Dehari. Ende jemi në pritje. Siç dihet, ne i kemi dërgu krejt materialet dhe tash jemi vetëm në pritje të rezultateve të ekspertizës së tyre. Nuk ka asgjë të re. Ne kemi bë parashkresë për me përshpejtu rastin, por s’kemi marrë përgjigje. Besojmë edhe shpresojmë që do të bëhet diçka në shtator apo tetor sepse është tepru”, ka thënë Biraj.

E derisa në Zvicër po kryhet super ekspertiza, kanë ndërruar edhe deklaratat e prokurorisë për këtë rast. Tashmë edhe në dokumente rasti “Dehari” nuk po cilësohet si vetëvrasje, por, si “vdekje e dyshimtë”.

Kjo bëhet e ditur edhe në dokumentin zyrtar që ka siguruar Express, i dërguar nga Prokuroria Themelore në Prizren, nga ku mësohet edhe emri i personit që do të kryejë ekspertizën.

Reagim për këtë ndryshim të referimit kanë pasur edhe familja Dehari.

“Prokuroria Themelore në Prizren më nuk e cilëson as përmes deklaratave se ish-aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje. Tani edhe me dokumente zyrtare, me vendimin me të cilin sipas kërkesës së familjes Dehari rastin e ka dërguar për hetime të pavarura dhe në kuadër të këtyre hetimeve është kërkuar super ekspertizë nga qendra e mjekësisë ligjorë në Lozanë të Zvicrës. Tani prokuroria me këtë vendim rastin e kualifikon si “vdekje e dyshimtë”, tha avokati Tomë Gashi.

Familja Dehari ka dërguar një kërkesë për të gjitha provat dhe dokumentet që ka dorëzuar në Zvicër prokuroria.

“Ne besojmë se të gjeturat nga Zvicra nuk do të duhej që të vonohen shumë nga se kanë kaluar më shumë se dy vite nga vrasja e Astrit Deharit dhe rasti do të duhej edhe juridikisht të mbyllet si vrasje dhe pastaj të gjenden vrasësit e tij”, kishte thënë Gashi.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016. Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimin se ishte pjesëmarrës në sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës në natën e 4 gushtit të atij viti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme