Për ujin shërues të Dobërqanit po vijnë edhe nga Suedia, Norvegjia e Gjermania

10:01 | 1 Shtator 2019
Arbresh.info

Nga një depo mbeturinash që kundërmonte, Banja e Dobërqanit është kthyer në një ambient shërues dhe i këndshëm për njerëzit të cilët e frekuentojnë këtë banjë.

Shumë qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, frekuentojnë banjën e Dobërqanit, e cila gjendet jo shumë larg qytetit të Gjilanit.

Kjo banjë me ujë natyrorë nga toka dhe shërues, frekuentohet shumë nga njerëzit. Krojet furnizojnë me ujë banjën e Dobërqanit dhe furnizojnë qytetarët të cilët kanë nevoja të ndryshme.

Pronari i Banjës së Dobërqanit, Nexhat Ibishi, në një prononcim për arbresh.info theksoi disa nga vetitë shëruese që ka kjo banjë.

 “Uji i Banjës së Dobërqanit ka shumë veti shëruese në bazë të analizave që i kanë nxjerrë mjekët. Ne kemi tregu edhe vet se çfarë efekte ka. Temperatura e ujit është 28 gradë, më së shumti përdoret për sëmundje të lëkurës, sëmundje të syrit, infeksione të syrit, për reuma të ndryshme”, tha Ibishi.

Ai shton se në këtë banjë janë shëruar edhe njerëz me sëmundje shumë të rënda.

“Është me të vërtetë ujë shumë shërues, kemi raste të panumërta që njerëzit kanë ardhë shumë me sëmundje të rënda dhe prej këtu kanë filluar në një situatë krejt tjetër”, deklaroi Ibishi.

Sipas tij, këtë banjë e kanë vizituar edhe nga shtetet e huaja, por, sa i përket vendit tonë pjesa më e madhe e frekuentuesve janë nga qyteti i Ferizajt.

“Kemi raste kur vijnë edhe prej shteteve të huaja, nga Suedia, Norvegjia, Gjermania, Turqisë, dhe gjithashtu nga shtetet përreth. Por, pjesa më e madhe e klientëve gjatë tërë sezonës janë nga Ferizaj. Gushti përfshin pjesën e Luginës Preshevës”, tha Ibishi.

Ai tregon se nga një deponi e mbeturinave kanë arritur ta ndryshojnë tërësisht pamjen e kësaj banje, që nga 2008-ta, prej kur edhe e kanë marrë në pronësi.

“Ne në 2008 e kemi marrë përsipër, prej atëherë jemi tu punu, qe 11 vite. Uji nuk ka ndryshua as në veti as në cilësi në asgjë, është i njëjti ujë për sa vite. Në atë kohë e kemi marrë në gjendje të mjerueshme atë vend, ka qenë një prej deponive të bërllokut. Besojmë që në të ardhmen kemi me bë edhe diçka më shumë”, theksoi Ibishi.

E ata të cilët e shfrytëzojnë banjën e Dobërqanit rrëfejnë për arbresh.info se kjo banjë ka veti shëruese dhe uji saj është shumë i kërkuar.

Një qytetare e Ferizajt, Xhyla Sylejmani, e cila kishte ardhur për herë të parë në këtë banjë, thotë se ka vërejtur rezultate të mira.

“Prej dje kam fillu me ardhë, kam pas problem me këmbën e majt, veç për një ditë ka fillu me mu lirua këmba”, tha ajo.

E një vendas i fshatit Dobërqan, Ekrem Aliu, i cili po ashtu e frekuenton për herë të parë këtë banjë thotë se ka pak ditë që ka ardhur në këtë banjë, por që sipas tij ka pas efekt dhe i ka ndihmuar.

“Me kanë thënë mjekët se kam yndyrë, jam ardhë këtu me përdor lloqin, qe katër ditë jam këtu. Po e ndjej vetën shumë më mirë, është hera e parë që vijë. Po e vërej që po eci pak më mirë, shpresoj që do të bëhet më mirë” tha ai

Kujtojmë që veç ujit shërues që ka kjo banjë, në të gjendet edhe balta që ka ndihmuar shumë qytetarë të shërohen nga shumë sëmundje./E.Haxhiu/arbresh.info/

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme