Problemi kryesor sot në arsimin e lartë në Kosovë është cilësia, thotë eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci.
Ai thekson se rritja e numrit të studentëve në institucionet e arsimit të lartë, mungesa e stafit të kualifikuar, organizimi jo i mirë i punës si dhe mospërmbajtja e kritereve, kanë çuar arsimin e lartë në nivelin ku është sot.
Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë për Radio Kosovën, se për të pasur ngritje të cilësisë në arsimin e lartë, në radhë të parë duhet t’u përmbahemi kritereve. Ai thotë se mënyra se si është avancuar stafi akademik në të kaluarën, e ka sjellë Universitetin e Prishtinës dhe arsimin e lartë në tërësi në situatën ku ndodhemi sot.
“Ne po shohim që tani ka reagime nga stafi akademik në përpjekje të menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës konkretisht, që të futen disa kritere. Njerëzit thirren në të kaluarën, thonë se siç janë avancuar të tjerët ashtu duam edhe ne. Por, mënyra se si janë avancuar të tjerët, faktikisht e ka sjellë këtë universitet dhe arsimin e lartë në pozitën në të cilën ndodhet tani. Prandaj, mendoj se këtu duhet të bëhet një pikë kthimi, që njerëzit të fillojnë të meritojnë thirrjet e veta akademike. Kur të fillojnë të respektohen kriteret akademike atëherë janë të gjitha parakushtet që të përmirësohet cilësia, sepse njerëzit bëjnë përpjekje për t’i plotësuar kriteret dhe ky angazhim pastaj jep rezultate në cilësi.”
Pupovci, thotë se në arsimin e lartë tani është arritur një pjesëmarrje relativisht e lartë. Kosova ka më së shumti studentë në 100 mijë banorë krahasuar me vendet e tjera evropiane dhe se kjo rritje e numrit të studentëve ka ndikuar në rënien e cilësisë, thotë ai. Por, edhe po t’u referohemi ligjeve, sipas Pupovcit, ato nuk e përmirësojnë cilësinë, por vetëm krijojnë kushte themelore për përmirësim.
“Edhe me legjislacionin e tanishëm asgjë nuk i pengon institucionet e arsimit të lartë që të përmirësojnë cilësinë. Ministria më tepër mund të veprojë nga niveli i akreditimit të programeve, pra vlerësimi i jashtëm i cilësisë. Ministria nuk mund të rregullojë problemet të cilat ekzistojnë në institucionet e arsimit të lartë, siç janë: mbajtja jo e rregullt e ligjëratave, cilësia e ulët e punës së mësimdhënësve, numri i madh i studentëve.”
Eksperti i arsimit, Pupovci, thekson se përqendrimi i institucioneve të arsimit të lartë, publike e private, duhet të fokusohet në përmirësimin e cilësisë. Ndërkohë, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, vazhdimisht potencon se ngritja e cilësisë në arsim është i vetmi prioritet i tij gjatë këtij mandati. Ai ka thënë se janë disa objektiva në arsimin publik që lidhen me tri segmente: ligjshmërinë, standardet akademike dhe orientimi drejt tregut të punës.
Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, Hoxha: Të ndërt...
Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin e Prishtinë...
Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku
Gresa nuk i beson arsyetimit të Drilonit në raport me deklar...
Osmani takoi deputeten britanike, Alicia Kearns
Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konf...