Limaj në Suhareka: Fushata do të kthehet në festë

21:45 | 31 Gusht 2019
Arditë Shkodra

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka treguar se ka vizituar Suharekën dhe se dega e kësaj partie në këtë qytet është e mobilizuar dhe e gatshme për fitore në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Takim pune me strukturat drejtuese të Nismës në Suharekë. Edhe kjo degë është mobilizuar dhe e gatshme për të kontribuuar për të arritur një fitore të madhe të koalicionit tonë në zgjedhjet e 6 tetorit” shkroi Limaj.

Ai i ka bërë thirrje kësaj dege që fushata të jetë e qetë dhe të kthehet në festë.

“Strukturat e degës në Suharekë i ftova që ta zhvillojnë një fushatë të qetë dhe efikase duke e kthyer fushatën në festë” shkroi kreu i Nismës Socialdemokrate.

Tutje, Limaj shtoi se dega e partisë në këtë qytet është e njohur për punën ekipore dhe frymë e energji pozitive, duke siguruar qytetarët se kandidatët më të mirë do të jenë në listë zgjedhore.

“Dega e Nismës në këtë qytet shquhet për punë të përbashkët ekipore dhe me frymë e energji pozitive dhe këtë frymë, i ftova që ta promovojnë edhe më tutje. Nisma Socialdemokrate siguron qytetarët e Kosovës që së bashku me partnerët e saj do t’i ketë kandidatët më të mirë për deputetë të Kuvendit të Kosovës” shkroi ai.

Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje garon në koalicion së bashku me Aleancën Kosova e Re dhe Partinë e Drejtësisë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme