Shqetësim për deficitin e lartë tregtar në Kosovë

09:49 | 4 Tetor 2015
Arbresh.info

Kosova vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar. Gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, deficiti ka arritur në 1.4 miliardë euro, përderisa gjatë vitit të kaluar ka qenë 2.2 miliardë.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se kjo është shqetësuese. Sipas tyre, masat e deritashme të ndërmarra nga qeveria nuk kanë qenë të mjaftueshme për ndryshimin e gjendjes, prandaj nevojiten edhe hapa tjerë për të nxitur prodhimin vendor, e rrjedhimisht edhe eksportin.

Deficiti i lartë tregtar edhe më tej konsiderohet ndër problemet më të mëdha të vendit. Sipas raportit të fundit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë periudhës janar gusht të këtij viti deficiti ka arritur në 1 miliardë e 463 milionë euro, përderisa gjatë vitit të kaluar ka qenë mbi 2 miliardë e 200 milionë. Ndonëse vlera e përgjithshme e eksporteve ka shënuar rritje nga viti në vit, dallimi mes importit dhe eksportit mbetet shumë i lartë. Sipas ekspertëve të ekonomisë kjo gjendje është e rëndë. Haki Shatri, ish ministër i ekonomisë dhe financave thotë se masat që janë ndërmarrë deri tani nuk janë të mjaftueshme për të përmirësuar gjendjen.

“Masat që janë marrë dhe mënyra si është qeverisur vendi në periudhën prej shpalljes së pavarësisë e këndej, nuk janë masa adekuate që po e nxisin rritjen e prodhimit, nuk janë masa që ndihmojnë rritjen e prodhimit dhe rritjen e eksportit të mallrave”, thotë Shatri.

Gjendja aktuale është shqetësuese edhe për kryetarin e Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani.

“Është për keqardhje që kemi deficit aq të lartë, do të thotë eksporti mbulon importin vetëm 13 për qind. Kjo është shqetësuese jo vetëm për qeverinë tonë por edhe për qeveritë perëndimore që kanë një zhvillim shumë të madh”, thekson ai.

Hasani thotë se qeveria duhet të ndërmarrë edhe masa stimuluese për prodhimet që dedikohen për eksport.

Ndërkaq Shatri potencon se gjendja e krijuar nuk mund të ndryshohet për një periudhë të shkurtër kohore, e as me një vendim politik, por nevojiten edhe masa tjera.

“Një program, një strategji zhvillimore e përgatitur me kujdes dhe e përcjellë me masa përkatëse, do të mund të mund të fillonte një kthesë në këtë drejtim por jo ta zgjidhë brenda një kohe të shkurtër”, thekson ai.

Ndryshe vlera e importit të mallrave gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti ka arritur rreth 1 miliardë e 700 milionë euro, përderisa eksporti ka qenë 226 milionë euro. Deficiti gjatë kësaj periudhe ka qenë mbi 1 miliardë e 46 milionë euro, kurse mbulimi i importit me eksport vetëm 13.4 për qind.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme