Koalicioni që nuk kontrollohet nga Beogradi, shpresë për serbët e Kosovës

08:07 | 31 Gusht 2019
A. B.

Serbëve të veriut u vjen një frymë e re politike. Bashkimi i tri partive serbe të Kosovës dhe dy politikanëve serbë për të garuar një zëri në zgjedhjet e 6 tetorit, duke kundërshtuar strukturat e Listës Serbe dhe urdhrat e Beogradit po shihet si një shpresë dhe mundësi e bashkëpunimit të mirëfilltë mes institucioneve të vendit dhe serbëve që jetojnë në Kosovë, shkruan arbresh.info.

Tre liderët e partive serbe, Nenad Rashiq (PDS), Rada Trajkoviq (EPS), Dragisha Miriq (NPK), dhe  Sllavisha Petkoviq e Branisllav Markoviq kanë lidhur koalicion parazgjedhorë ku për qëllim ka ruajtja dhe forcimi i serbëve në Kosovë, do të sfidojnë Listën Serbe.

Analisti politik, Shkodran Ramadani, bashkimin e serbëve e sheh si lajm pozitiv duke treguar se në mesin e serbëve të Kosovës ka mendim politik që nuk kontrollohet nga Beogradi.

“Kjo është shumë mirë për Kosovën sepse  siç dihet Lista Serbe është plotësisht nën urdhrat e Beogradit dhe si e tillë është shumë vështirë të negociohet me ta. Nuk e di se sa do të kenë forcë elektorale mirëpo fakti që ka tendenca të tilla është shpresëdhënës sepse tregon se ka serbë të cilët janë të gatshëm të bashkëpunojnë me qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Mirëpo, Ramadani shprehet skeptik nëse ky koalicion do të ketë fuqi të ndryshoj elektoratin serb sepse sipas tij fuqia e Listës Serbe dhe shantazhet e tyre janë zor të sfidueshme.

“Lista Serbe është penguesi më të madh i institucioneve të Kosovës për me shtri integritetin në veri.  Ky koalicion që besoj se nuk është shumë i fuqishëm tash për tash besoj që është lajm shumë i  mirë  sepse ky grup serbesh janë shumë më konstruktiv dhe të gatshëm të negociojnë me shteti e Kosovës”, vazhdoi Ramadani.

Fatmir Sheholli, analist politik, thotë se ky koalicion i ka gjasat minimale të që të arrijë ndikim tek votuesit serb.

“Koalicioni parazgjedhor i formuar nga disa ish ministra dhe ish deputet të qeverisë dhe kuvendit të Kosovës ka gjasa minimale, mos te them kurrfare që të ketë ndikim në votuesit serbe të Kosovës. Tani me, Lista Serbe këtyre ditëve pothuajse ka arritur te marre tere anëtarësinë e Partisë se pavarur liberale te Slobodan Petroviqit me joshje të ndryshme. Lista Serbe në Kosovë e ka pushtetin në 10 komuna me shumice serbe dhe pushtetin absolut edhe në qeveri të Kosovës dhe ka përkrahjen e parezërve të Beogradit zyrtarë”, është shprehur Sheholli për arbresh.info.

Anën pozitive të këtij koalicioni, Sheholli e vlerëson tek ndryshimi i mendimi te serbëve dhe e vlerëson si një zë tjetër nga Lista Serbe.

“Nga Ana demokratike është mirë që ky koalicion i formuar. Megjithatë është tregues qe tek serbet ne Kosove ka një zë tjetër nga Lista Serbe, por fatkeqësisht është minor dhe për këtë aktualitet politik ne Kosove me shanca minimale te merr qofte edhe një deputet”, thotë ai.

Nënshkruesit e marrëveshjes kanë marrë përsipër të punojnë për forcimin e korpusit politik serb, i cili do të veprojë në përputhje me interesat strategjike të serbëve në Kosovë dhe kështu të sheshohet rruga për mbetje dhe jetë të sigurt në Kosovë.

“Grupacioni ynë do të jetë i hapur për të gjitha llojet e bisedimeve me qëllim të forcimit të zërit të serbëve të Kosovës, i cili përmes institucioneve të Kosovës do të vendos shtyllat e mbetjes dhe të kthimit të sigurt të serbëve të zhvendosur”, kanë theksuar nënshkruesit e marrëveshjes. /M.Avdimetaj/Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme