Vihet gurthemeli për ndërtimin e 51 shtëpive në fshatin Frashër të Mitrovicës

15:09 | 30 Gusht 2019
Arbresh.info

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me hoxhën Halil Kastrati, nga Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, kanë vënë sot gurthemelin e ndërtimit të 51 shtëpive për familjet në nevojë, në fshatin Frashër të Mitrovicës.

Kryetari Bahtiri ka falënderuar hoxhën Halil Kastrati, shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, djemtë e Mitrovicës dhe të gjithë donatorët e tjerë që kanë dhënë kontribut për t’i ndihmuar familjet që kanë nevojë për ndërtimin e shtëpive në qytetin e Mitrovicës.

“Ne si institucione lokale u jemi shumë mirënjohës të gjithë donatorëve të cilët me zemërgjerësinë dhe humanizmin e tyre do të mundësojnë ndërtimin e këtyre shtëpive për familjet në nevojë për qytetin tonë. Falë kësaj mbështetje dhe përpjekjeve tona të pareshtura gjendja ekonomike në qytetin e Mitrovicës po ndryshon për të mirë”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ndërsa hoxha Halil Kastrati, theksoi se është një ditë e veçantë për të dhe për Mitrovicën, sepse  po vihet gurthemeli për ndërtimin e 51 shtëpive për familjet të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit.

Ky projekt realizohet në mes të komunës së Mitrovicës, Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe djemve të Mitrovicës, me ç’rast komuna e Mitrovicës do të participojë me mjete financiare në shumë totale prej 200,000 mijë euro, si dhe ka siguruar pronën komunale për ndërtimin e të gjitha shtëpive për familjet në nevojë.

Ndërtimi i këtyre shtëpive parashihet të përfundojë gjatë këtij viti, dhe do tu dorëzohen çelësat familjeve të cilat do të përzgjidhen nga komuna.

Në vënien e gurthemelit të këtyre shtëpive ishin të pranishëm drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, drejtori për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Besnik Beka, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, drejtori për Bujqësi, Ekrem Sadiku, përfaqësues nga Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” si dhe djemtë e Mitrovicës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme