Google ADS

Bllokohet buxheti për KQZ-në, në pritje të Gjykatës Kushtetuese

08:18 | 30 Gusht 2019
M. A.

Ka mbetur në dorë të Gjykatës Kushtetuese vendimi për kompetencat e Qeverisë në largim, kështu duke lënë pezull edhe kërkesën e KQZ-së për ndarje të mjeteve për zgjedhjet e 6 tetorit.

Minimalisht, ka edhe rreth dy javë kohë ligjore që Gjykata Kushtetuese të jep opinionin e saj rreth kërkesës së Kryeministrit në largim për interpretim të aktit të dorëheqjes nga posti i Kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.

Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, thotë se ende është duke u shqyrtuar kërkesa nga gjykata.

“Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje. Megjithatë, bazuar në praktikat e deritanishme me kërkesat institucionale që ngërthenin në vete situata më urgjente, koha minimale për vendimmarrjen e Gjykatës variron nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj”, deklaron Dula për arbresh.info.

Nga ana tjetër, Ministri në largim i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, bëri të ditur se të gjitha paratë e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve ekzistojnë, por që nuk mund të barten pa sqarimet juridike.

“Ne do të presim të sqarohet kjo situatë dhe pas sqarimit të situatës të ndërmarrim veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin”, deklaroi ministri Hamza.

E komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk mund të fillojë asnjë procedurë për organizimin e zgjedhjeve pa alokimin e parave të nevojshme nga Qeveria në largim e Republikës së Kosovës.

Vazhdimisht, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka përsëritur se nuk merr ndonjë përgjegjësi për mbarëvajtje të mirë të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme nacionale të 6 tetorit pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth gjashtë milionë euro.

Sipas praktikave të mëhershme, secila qeveri në largim ka miratuar buxhetin për zgjedhje nacionale./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme