Google ADS

India dënon 10 burra me burgim të përjetshëm për vrasjen e një të krishteri

15:39 | 28 Gusht 2019
A. B.

Një gjykatë në Kerala të Indisë i ka dënuar me burgim të përjetshëm dhjetë burra për vrasjen e një personi të krishterë, i cili i përkiste një shtrese më të ulët të shoqërisë dhe dëshironte të martohej me një vajzë të shkalle më të lartë.

Kevin Joseph, elektricist 23 vjeç, u vra në maj të vitit të kaluar, dy ditë pasi kishte aplikuar për ta regjistruar martesën me vajzën 21 vjeçe, Neenu Chacko, e cila i përkiste besimit të njëjtë me burrin.

Në mesin e personave të dënuar me burgim të përjetshëm është edhe vëllai i vajzës, Sanu Chacko, i cili akuzohej se është kthyer nga vendi i punës në Gjirin Persik për të marrë pjesë në vrasjen e burrit që donte të martohej me motrën e tij pa dëshirën e familjes.

Gjykatësi e përshkroi krimin si rast i pastër i vrasjes së nderit dhe se arsyet e vetme pse të akuzuarit nuk po i dënon me vdekje janë mosha e tyre dhe fakti që kjo ishte vepra e parë penale që kanë kryer.

E dashura e burrit të vrarë dëshmoi në gjykatë kundër të afërmve të saj. “Kjo është një luftë për Kevin-in”, tha ajo para gazetarëve.

Babai i viktimës tha se ndonëse do të donte që të akuzuarit të dënohen me vdekje, ai është i kënaqur edhe me dënimin me burgim të përjetshëm, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme