Liberalizimi i vizave, çështje që BE pret të sqarohet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës

08:06 | 28 Gusht 2019
arbresh.info

Qytetarët e Kosovës të pajisur me pasaporta nga Drejtoria e Koordinimit në Serbi së shpejti presin liberalizimin e vizave për ta.

Arbresh.info merr vesh nga burime brenda Beogradit zyrtarë se së shpejti këta qytetarë do të mund të udhëtojnë pa viza, përkundër se qytetarët e Kosovës ende nuk e kanë një mundësi të tillë me pasaporta kosovare.

“Shumë shpejtë do të liberalizohen vizat për pasaportat e Drejtorisë Koordinuese”, është shprehur ky burim, pa saktësuar se kush i ka garantuar një gjë të tillë.

Arbresh.info i ka shkruar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në lidhje me këtë çështje, por nuk kemi marrë ndonjë sqarim.

Për më tepër, burime brenda Komisionit Evropian për arbresh.info nuk e kanë mohuar një gjë të tillë duke shtuar se për këtë çështje duhet të gjendet një zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Për banorët e Kosovës që posedojnë një pasaportë të veçantë serbe të lëshuar nga Drejtoria e Koordinimit të Serbisë, e cila aktualisht nuk jep mundësinë e udhëtimit pa viza në BE, duhet të gjendet një zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës”, thotë ky burim për arbresh.info.

Komisioni Evropian në vitin 2009 vendosi që nga janari i vitit 2010 qytetarët serbë të mos kenë nevojë për vizë për të udhëtuar në Zonën Shengen, por kjo ju pamundësua këtyre pasaportave.

Ky zyrtar i Komisionit Evropian thotë se edhe qytetarët e Kosovës do të përfitojnë nga lëvizja e lirë sapo të merret vendimi në Këshill, duke mos saktësuar kohën.

“Sapo liberalizimi i vizave për Kosovën të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian, kushdo që ka një pasaportë të vlefshme biometrike të Kosovës do të jetë në gjendje të përfitojë nga udhëtimi pa viza në BE”, shton tutje ky burim.

Sidoqoftë, nuk u saktësua nëse këto dy procese do të shkojnë karahas njëra-tjetrës, apo kanë ndonjë lidhje njëra me tjetrën.

Nëse çështjes së liberalizimit të vizave edhe për qytetarët me pasaporta kosovare kërkohet t’i jepet një epilog edhe në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ky proces do të zvarritet edhe për disa vite tjera.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës vazhdojnë të mbesin të izoluar. Procedurat për t’u pajisur me vizë nga ndonjë vend i zonës Shengen, janë tejet të zgjatura. Të shpeshta janë refuzimet me arsyetimet se “nuk besojmë se do të lëshoni me kohë zonën Shengen”.

Aktualisht Kosova është në proces elektoral, dhe nuk dihet se si do të pasojë procesi i liberalizimit të vizave pas zgjedhjeve nacionale që do të mbahen me 6 tetor.

Taksa prej 100 për qind për produktet serbe pezulloi dialogun me Beogradin, duke ngecur kështu monitorimi i zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme, dhe diskutimi për një marrëveshje finale që do të normalizonte raportet ndërmjet dy vendeve./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme