Pallati i Drejtësisë pa ajër, temperatura brenda arrin në 40 gradë celsius

22:28 | 27 Gusht 2019
Arbresh.info

Ka më shumë se një javë që mbi 200 punëtorë të Prokurorisë Themelore të Prishtinës e kanë pasur të pamundur të punojnë brenda objektit C të Pallatit të Drejtësisë.

Defektet në klimatizimin e këtij objekti kanë bërë që disa prej punëtorëve t’u përkeqësohet gjendja shëndetësore.

U.D. i kryeprokurorit të Themelores, Kujtim Munishi, ka konfirmuar se vetëm brenda javës së kaluar, tri herë është dashur të kërkohet ndihma e emergjencës, për shkak të problemeve shëndetësore që u janë shfaqur punëtorëve, raporton KTV.

Megjithëse nuk ka pranuar të flasë për problemin para kamerës, Munishi ka treguar se temperaturat brenda objektit kanë shkuar deri në 40 gradë, duke e bërë të pamundur punën në këtë objekt.

Ai më tutje, ka thënë se të premten është detyruar ta lirojë një pjesë të stafit, shkaku i këtyre defekteve, derisa po pret zgjidhje të kësaj situate.

Mungesa e ventilimit dhe ajrosjes në objektin e Prokurorisë Themelore në Pallatit të Drejtësisë ka shtyrë këtë prokurori që të kërkojë nga IKSHP-ja matjen dhe vlerësimin e sasisë së oksigjenit brenda këtij objekti.

Por, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, përmes telefonit, ka thënë se ata deri më tani, nuk kanë pranuar kërkesë zyrtare për matje të oksigjenit në këtë objekt.

Megjithëkëtë, Ramadani shton se matja e oksigjenit nuk është kompetencë e këtij institucioni.

E në Këshillin Prokurorial të Kosovës, thonë se janë të njoftuar me këtë shqetësim, por që është duke u punuar në evitimin e këtyre defekteve.

Derisa thonë se ata kanë kërkuar nga Prokuroria që në raste kur nuk ka kushte të punës, punëtorët të lirohen.

Në Ministri të Administratës Publike, thonë se janë duke bërë përpjekje për sanimin e defekteve .

Në përgjigjen e MAP-it shtohet se defektet gjenden në sistemin e komandimit të klimatizimit në hapësirat e ndërtesës.

është njoftuar për rastin dhe po bën përpjekje për sanimin e defekteve. Fjala është për problemet që janë shfaqur në sistemin e komandimit – rregullimit të gjendjes së klimatizimit në hapësirat e ndërtesës. Ekipet e mirëmbajtjes pas ndërhyrjes në sistem dhe në hapësira, kanë krijuar kushte që në hapësira të ketë klimatizim. I njëjti veprim është duke u ndërmarrë edhe në disa zyra në të cilat nevojitet të verifikohet arritja e parametrave të nevojshëm të temperaturave. Në këtë plan, shqetësimet kanë të bëjnë me stabilizimin e klimatizimit në hapësirat e ndërtesës C, për faktin se temperaturat ishin ngritur. Kompleksi i Pallatit të Drejtësisë ka një sipërfaqe mbi 50.000 m² , andaj është edhe e pritshme që mund të paraqiten probleme të natyrave të ndryshme, të cilat ekipet e mirëmbajtjes i sanojnë”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Administratës Publike.

Kjo nuk është hera e parë që Pallati i Drejtësisë është ballafaquar me probleme të ndryshme teknike.

Ndërtimi i këtij pallati kishte kushtuar rreth 30 milionë euro dhe ishte donacion i Bashkimit Evropian, e punët ishin kryer kryesisht nga kompani kosovare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme