Prokuroria Speciale nis hetimet rreth kontratës për ndërtimin e auto-udhës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë

14:45 | 27 Gusht 2019
L G

Kështu ka bërë të ditur Lëvizja Fol përmes një njoftimi për media. Kjo Lëvizje ka mirëpritur fillimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Lëvizja FOL mirëpret hetimet e filluara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për kontratën e ndërtimit të auto-udhës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë.

“FOL që nga viti i kaluar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka kërkuar të gjithë dosjen e kësaj kontrate, mirëpo përveç një pjese të dokumentacionit që na ishte ofruar pjesa tjetër, siç na kanë informuar zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës nuk ekzistonte. FOL në vazhdimësi kishte ngritur shqetësimin për parregullsitë me të cilat ishte lidhur kjo kontratë dhe për me tepër si ishte e mundur të ndërtohet një auto-udhë pa pasur Planin e Menaxhimit të Kontratës”, thuhet në njoftimin e FOl.

Kjo Lëvizje ka bërë të ditur se është informuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes një vendimi të datës 01 gusht 2019, mbi fillimin e hetimeve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për kontratën e ndërtimit të auto-udhës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, apo e njohur në gjuhën teknike si: “Kontrata për ndërtimin e auto-udhës A7.1 – Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë) – Dheu i Bardhë”.

“Vendimi i Institucionit të Avokatit të Popullit, përmes së cilit njoftohemi se ky institucion i ndërprenë hetimet pas fillimit të hetimeve nga Prokuroria Speciale, rrjedh si rezultat i paraqitjes së ankesës nga ana e Lëvizjes FOL për mos ofrim të disa dokumenteve të kontratës nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, gjegjësisht mos ofrimin e Planit të Menaxhimit të Kontratës, të cilën tashmë dihet se nuk e posedon kjo ministri”, thuhet tutje.

Lëvizja FOL beson që Prokuroria Speciale do t’i dërgojë hetimet deri në fund për të vërtetuar shkeljet eventuale të cilat mund të jenë shkaktuar nga Ministria e Infrastrukturës në kuadër të procedurave për ndërtimin e auto-udhës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë./Arbresh.info

Të ngjashme