G7-a mbledh 22 milionë dollarë për zjarret në Amazonë, refuzon Bolsonaro

19:10 | 26 Gusht 2019
Arbresh.info

Presidenti i Brazilit ka refuzuar një ndihmë financiare prej 22 milionë dollarësh, e promovuar nga presidenti Makron për të ndihmuar për normalizimin e situatës në Amazonë. Bolsonaro ka deklaruar se ndihma e ofruar e bën Brazilin të duket sikur është një koloni, ose tokë e askujt.

Liderët ndërkombëtarë të mbledhur në samitin e G7-s ranë dakord t’i ofrojnë mbështetje logjistike dhe financiare Brazilit për të luftuar zjarret që kanë përfshirë Amazonën. Ishte vetë presidenti francez Emanuel Makron që deklaroi se vendet e grupimit do të lëvronin 22 milionë dollarë për t’i ardhur në ndihmë vendit latin. Por megjithatë, presidenti brazilian Bolsonaro e refuzoi ndihmën duke thënë se plani i Makron për krijimin e një aleance për të shpëtuar Amazonën e bënte Brazilin të dukej si “koloni e dikujt ose si tokë të askujt”. Një numër rekord zjarresh kanë përfshirë masivin pyjor në Brazil, shumica e të cilëve në rajonin e Amazonës. Makron tha se fondi do të bëhej menjëherë i gatshëm dhe një pjesë e tij do të shkonte për të financuar më shumë avionë me qëllim shuarjen e flakëve. Ai gjithashtu premtoi se Franca do të ofronte ndihmë konkrete ushtarake në rajon në orët e ardhshme. Por Bolsonaro, që është përfshirë në një përplasje publike me Makron në javët e fundit, e akuzoi liderin francez se kishte bërë një sërë sulmesh të paarsyeshme ndaj tij lidhur me situatën në Amazonë dhe se kishte fshehur synimet e vërteta të tij prapa idesë për krijimin e një aleance që do të ofronte ndihmë. Bolsonaro shkroi në profilin e tij në Tëitter se sovraniteti i Brazilit duhet respektuar nga të gjithë dhe tha se kishte diskutuar me presidentin e Kolumbisë për një plan të përbashkët për të luftuar zjarret, si vendeve që janë pjesë e rajonit të Amazonës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme