Kryetari i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ka thënë se Bashkimi Evropian ka qenë i qartë, se taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet, në mënyrë që të rinis dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, qysh në nëntor të vitit të kaluar.
McAllister po qëndron për vizitë në Serbi ku ka takuar zyrtarët e lartë serbë, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se ka diskutuar për çështjen e dialogut me Kosovën, i cili është i pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar.
“Aktualisht ekzistojnë pengesa serioze. BE-ja ka qenë e qartë se taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet. Kjo është thënë edhe në deklaratën e vendeve të Kuint-it (Gjermania, Franca, SHBA-ja, Britania e Madhe, Italia), e cila bën thirrje për një reagim të përgjegjshëm të Prishtinës. Por, besoj se tash duhet të presim rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë”, tha McAllister.
Presidenti Vuçiq në takim me delegacionin e Parlamentit Evropian ka thënë se Serbia e mbështet vendosmërisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por ka shtuar se ky “dialog është i mundshëm vetëm kur Kosova të heqë taksën ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, raportojnë mediat serbe”.
Në fokus të diskutimeve, të McAllister në Serbi ka qenë edhe përparimi i këtij vendi drejt plotësimit të kushteve për anëtarësim në BE.
McAllister ka thënë se Serbia ka reputacionin e faktorit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por theksoi nevojën që ky vend të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit.
“Institucionet e reja evropiane, si ato të mëparshme, do të vazhdojnë të ndjekin një politikë afatgjate të zgjerimit të BE-së. Në veçanti, ne duam të vendosim perspektivën e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha McAllister, transmeton rel.
Eurodeputeti McAllister po qëndron në Serbi për herë të parë në cilësinë e kryesuesit të Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian.
Ai më parë ka shërbyer si raportues i PE-së për Serbinë.
Hajrullahu: Transparenca dhe llogaridhënia janë dy shtyllat ...
Arsenali kërkon një transferim befasues në janar për yllin e...
Edi tregon se si humbi 50 mijë euro për ditëlindje
Ismaili pranon letër urimi nga guvernatori i Bankës së Angli...
Ambasadori italian takoi Tërnavën, diskutuan për tolerancë e...
Kurti: Investimi në fëmijë është investimi për një ardhme të...