Google ADS

Katër kandidatët për kryeministër sforcojnë garën zgjedhore

17:48 | 26 Gusht 2019
Arbresh.info

Pozita e kryeministrit, përbën figurën kryesore në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Andaj, të gjitha subjektet politike dhe koalicionet që garojnë në zgjedhje, përpiqen që përmes kandidates apo kandidatit të tyre për këtë pozitë, të sigurojnë një mbështetje më të gjerë nga votuesit.

Aktualisht, partitë dhe koalicionet në Kosovë kanë dalë me emrat e katër figurave politike si kandidatë për pozitën e kryeministrit.

Partnerët e koalicionit qeverisës, që shumë shpejt mund të mbesin ish-partnerët qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tani kanë dy kandidat.

PDK ka kandidat liderin e saj, Kadri Veselin, kurse AAK-ja, po ashtu liderin e saj dhe kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm.

Ndërkohë, edhe opozita aktuale, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht faktit se janë në negociata për koalicion, kanë dy kandidatura të ndara.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxjerrë në “betejën” për kryeministren e parë femër në Kosovë, Vjosa Osmanin.

Kurse Vetëvendosje, edhe pse nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, në shumë raste ka prezantuar liderin e saj, Albin Kurtin për pozitën e shefit të qeverisë.

Aktualisht, këto katër figura politike pritet të jenë në qendër të vëmendjes në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por, në fund, vetëm njëri prej tyre do të mund të merr këtë pozitë, nëse nevoja për koalicione nuk sjell një pasqyrë tjetër pas zgjedhjeve.

Megjithatë, bazuar në praktikat e deritashme, mund të ngjajë që si pjesë e marrëveshjes politike për koalicione, partitë politike të dakordohen rreth një figure tjetër prej këtyre katër kandidatëve apo siç njihet me termat politikë, një figurë konsensuale që do të jetë e pranueshme për të gjitha partitë e koalicionit të ardhshëm qeverisës, shkruan rel.

Por, sidoqoftë, fushata për zgjedhjet e ardhshme, të caktuara tashmë për 6 tetor, pritet të mbështetet pikërisht në këto kandidatura dhe programet që ata ofrojnë për qeverisjen gjatë mandatit të ardhshëm katër vjeçar.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme