Google ADS

Ismaili dorëzon pajisje që kanë munguar me vite në Gjinekologji

12:06 | 26 Gusht 2019
M. A.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar sot Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Gjatë kësaj vizite, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka përuruar pajisjen e re të Laparaskopit, e cila ka munguar në këtë klinikë në tri vitet e fundit.

Me këtë pajisje, e cila ka kushtuar 86 mijë euro, tani profesionistët shëndetësorë do të kenë mundësi që të realizojnë intervenime kirurgjike me prerje minimale përmes videokamerës të instaluar në të.

Intervenimet me Laparaskop ngrisin cilësinë dhe sigurinë e intervenimit, si dhe shkurtojnë kohën e shërimit të pacientit duke zvogëluar në masë të madhe komplikimet post operative.

Gjatë përurimit të kësaj pajisje, Ismaili tha se lufta kundër korrupsionit gjatë këtyre dy viteve ka krijuar mundësi të reja për investime në shëndetësi.

“Duke luftuar korrupsionin kemi rikthyer shpresën dhe besimin e qytetarëve në Institucionet Publike shëndetësore. Por, krahas kësaj, edhe investimet. Jam shumë i lumtur që sot po përurojmë edhe një pajisje e cila i ka munguar klinikës së Gjinekologjisë për disa vite.”, ka thënë ministri Ismaili, raporton EO.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, tha se me këtë pajisje pacientëve do t’u ofrohen shërbime moderne të Gjinekologjisë si në të gjithë botën.

“Kemi pasur mungesë të kësaj pajisje në tri vitet e fundit. Kjo është një pajisje shumë e mirëseardhur e cila na mundëson neve që të realizojmë operime moderne që bëhen sot në gjithë botën. Kjo është në të mirë të pacientëve pasi që shkurton kohën e shërimit për ta”, ka thënë drejtori Ismaili.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, në dy vitet e fundit janë ndërruar shtretërit, janë dërguar një numër i madh i pajisjeve të reja si dhe janë transofrmuar sallat e operacionit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme