SBASHK-u paralajmron grevë në shtator nëse mbyllen shkollat në Kamenicë

08:47 | 24 Gusht 2019
Arbresh.info

19 shkolla pritet të mbyllen në Kamenicë në muajin shtator, sipas vendimit të kreut të kësaj komune Qëndron Kastrati për shkak të gjendjes së keqe në të cilën ndodhen ato, por edhe numrit të vogël të nxënësve.

Por, ky vendim po kundërshtohet ashpër nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), e cila ka dalë kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, në një intervistë për EO, ka paralajmëruar grevë të përgjithshme, nëse ky vendim nuk anulohet.

“Ne nga ajo mbledhje dolëm bashkërisht me vendimin e cili përkrahet edhe nga SBAShK-u në nivel qendror, se nëse kryetari Kastrati nga vendimi i tij, në Kamenicë do të fillohet në shtator me greva. Ne kemi apeluar tek mësimdhënësit e Kamenicës që secili të shkojnë në shkollën e tij që të mos lejojnë që të mos lejojnë mbylljen e shkollave dhe nëse kryetari i përdorë mekanizmat e tjerë atëherë arsimi i Kamenicës do të shkojë fillimisht në një grevë paralajmëruese dy orëshe, dhe do t’i japim afat publik kryetarit që të mendoj edhe një herë dhe ta tërheqë vendimin”.

“Nëse jo unë do ta thërras këshillin drejtues të SBAShK-u dhe do të kërkoj nga mësimdhënësit e Kosovës dhe punëtorët e tjerë arsimorë që nga çerdhet e deri në universitete solidarizim, me kolegët në Kamenicë ngase e kemi detyrë”, thotë ai.

Jashari ka akuzuar Kastratin që në emër të reformave po synon t’i mbyllë këto shkolla pa ndonjë plan konkret.

“Ideja e kryetarit Kastrati nuk është ndonjë ide për reforma por është ide për mbyllje shkollash gjë që ne do ta kundërshtojmë, ngase nuk është bërë punë e planifikuar e as e analizuar mirë. Ai gabimisht e ka quajtur aktivitetin e tij se po bënë reforma. Ne që kemi punuar në arsim e dimë se çka janë reformat, reformat bëhen brena shkollave me pajisje me mjete moderne dhe me metoda të reja të punës e jo me mbyllje të shkollave”, thotë ai.

Rrahman Jashari ka thënë se janë të vetëdijshëm që ka rënie të numrit të nxënësve në shkolla, por që kjo duhet të bëhet përmes një platforme dhe jo përmes eksperimenteve komunale, por me një bashkëpunim në mes të institucioneve qendrore.

“Ushtë e vërtetë që kemi rënie të numrit të nxënësve, mirëpo gjërat nuk bëhen me eksperimente, por duhet niveli qendror MASHT-i, Parlamenti i Kosovës edhe institucionet e tjera të ulen ta bëjnë një platformë çfarë tutje sepse e dimë që në të ardhmen do të na ndodhë shkurtimi i orëve për shkak të nxënësve. Por kjo nuk bëhet pa dhënë përgjigje çka me mësimdhënësit, çka me shkollat ku shteti ynë ka dhënë mjete për t’i ndërtuar në garat ku bëheshin këto shkolla për politikë, për të treguar se ne kemi ardhur në pushtet dhe po ndërtojmë shkolla të reja, të cilat tash po dalin se kan qenë të tepërta”, thotë ai.

I pari i SBAShK-ut ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë që të reagojë lidhur me këtë çështje.

“Ne presim që MASHT-i të reagojë edh pse e kemi një MASHT pa udhëheqje të plotë, ngase u zhbë parlamenti. Fatkeqësisht në këtë situatë shtatori po na vjen goxha problematik, pasi nga ana tjetër nuk kemi institucione qendrore të cilat janë valide”, thotë ai.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, në muajin maj ka deklaruar se do ta organizojë një referendum për reformimin e arsimit në komunën që udhëheq ai.

Ndonëse i pari i Kamenicës ka thënë se kjo reformë është në të mirë të arsimit në këtë komunë, ai e pranon se reforma mund të lërë pa punë një pjesë të mësimdhënësve aktualë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme