Basha kujton viktimat e regjimeve totalitare: Sakrifica e shqiptarëve më e madhja

21:04 | 23 Gusht 2019
Trina Galanxhi

Kreu demokrat, Lulzim Basha ka kujtuar viktimat e regjimit komunistë në Shqipëri.

Në një postim në “Facebook”, Basha duke u ndalur tek dita e viktimave të regjimeve totalitare në Europë, shprehet se sakrifica e shqiptarëve ka qenë më e madhe se kudo pasimijëra persona janë ekzekutuar pa gjyq.

Por Basha në postimin e tij nuk I kursen as akuzat në drejtim të qeverisë, ndërsa thekson se shumë shpejt do t’I vijë fundi.

“Për mos të harruar… Sot mbarë Europa kujton Viktimat e regjimeve totalitare. Askush nuk ka paguar një çmim më të lartë për lirinë në Europë, se sa shqiptarët. Sakrifica e shqiptarëve përkthehet në mijëra të ekzekutuar me dhe pa gjyq, për liri, për demokraci, për dëshirën për të ndërtuar një shoqëri të respektit për dinjitetin njerëzor, sipas normave dhe vlerave europiane, për fjalën e lirë, për besimin në Zot. 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike. 59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi. 7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak. 984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit. 6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës. Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit. Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, ka në themel kompleksin e xhelatëve, për të zhdukur bashkë me kundërshtarët e tyre politikë, edhe gjurmët e krimit të tyre. Kujtesa dhe nderimi për sakrificën e atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe kombin, e lartëson një komb. Harresa dhe mosmirënjohja janë rruga drejt shkatërrimit të shoqërisë dhe vlerave bazë të familjes, kombit dhe Atdheut. Në këtë ditë kujtese, rikonfirmoj në emër të Partisë Demokratike, së bashku me ndjesën që nuk kemi arritur të bëjmë gjithçka nevojitet për nderimin e sakrifices së të përndjekurve politikë, për gjetjen dhe nderimin e eshtrave të të ekzekutuar pa gjyq, vendosmërinë tonë që në Parlamentin e dalë nga vota e lirë do të miratojmë ndër aktet e para:

– ndalimin dhe kriminalizimin e simboleve të komunizmit, dhe nderimin për xhelatët e diktaturës, që kanë për qëllim të fshijnë çdo kujtesë të sakrificës dhe rezistencës për liri.

– nderimin e viktimave të komunizmit, për të sprapsur revanshin komunist, i cili u rilind dhe u materializua, me vendimin kriminal për të hequr dhe kufizuar dëmshpërblimin për pasardhësit e të ekzekutuarve.

– angazhimin ligjor dhe financiar për gjetjen dhe nderimin e të ekzekutuarve pa gjyq që sot janë pa varr dhe heshtrat e të cilëve nuk gjenden.

Drejtësia nuk mund të vijë nga persekutorët e rilindur. Shqipëria është vendosur nën një tjetër diktaturë të krimit. Për pushtetin dhe pasurimin e tij të paligjshëm Edi Rama ka kthyer policinë politike, prokurorinë dhe drejtësinë private dhe burgosjet dhe gjygjet politike. Ndërkohë kriminelët dhe pushtetarët hajdutë janë mbi ligjin gëzojnë pandëshkueshmëri dhe mbrojtje nga Edi Rama. Kjo e keqe do të ndalet me çdo kusht e me çdo çmim dhe shqiptarët e bashkuar do ta fitojnë betejën për vlerat themelore të demokracisë, votën e lirë, dhe nderimin e trajtimin dinjitoz të të përndjekurve politikë dhe të gjithë shqiptarëve të ndershëm.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme