Google ADS

SHSKUK dhe Komuna e Podujevës arrijnë marrëveshje për funksionalizim të Spitalit të Podujevës

12:58 | 23 Gusht 2019
Arbresh.info

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, dr. Basri Sejdiu, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, kanë nënshkruar marrëveshje për funksionalizim të Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.

Qëllimi i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit është ndërtimi dhe funksionalizimi i plotë i Spitalit të Përgjithshëm në Komunën e Podujevës.

Marrëveshja parasheh që Komuna e Podujevës, në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi, të siguroj dhënien në shfrytëzim të parcelës dhe të objektit ekzistues SHSKUK-së,për funksionalizim të Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës.

Poashtu, Komuna e Podujevës merr përsipër rrënimin e aneksit të objektit ekzistues shëndetësor në hapsirën përkatëse ku do të planifikohet ndërtimi i aneks-objektit të ri të destinuar për nevojat e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës.

Në anën tjetër, SHSKUK merr përsipër të gjitha obligimet për Spitalin e Përgjithshëm të Podujevës, që dalin nga statuti i SHSKUK-së për njësitë përberëse te saj (Spitalet e Përgjithshme).

Në marrëveshje theksohet se SHSKUK merr përsipër ndërtimin e aneks-objektit te ri dhe përshtatjen me objektin ekzistues për nevojat e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.

SHSKUK obligohet të bëj furnizimin me pajisjet e nevojshme mjekësore në kuadër të reparteve për Spitalin e Përgjithshëm në Podujevë, e poashtu, merr përsipër rekrutimin e stafit shëndetësor dhe administrativ për nevojat e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme