SBASHK-u me veprime konkrete kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë

12:11 | 22 Gusht 2019
Arbresh.info

Duke e parë se edhe pas kundërshtimeve të argumentuara  të SBASHK-ut në kuadër të komunës së Kamenicës dhe në nivelin qendror gjatë takimeve në MASHT  të idesë  së ngutshme  e të pa analizuar fare  te kryetarit të Kamenicës Qëndron Kastrati për mbylljen e disa shkollave në këtë komunë, Kuvendi i Sindikatave të Arsimit Fillor e të Mesëm të Kamenicës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme  duke marrë qëndrim unanim për hapa konkret  në kundërshtim të mbylljes së shkollave në këtë komunë.

Në këtë takim të jashtëzakonshëm ka marrë pjesë edhe  kryetari i SBASHK-ut, Rrahman  Jasharaj bashkë me udhëheqës të tjerë të nivelit qendror, të cilët kanë përsëritur kundërshtimin  ndaj idesë për mbylljen e shkollave në këtë komunë  sepse konsiderojnë se ky veprim është i ngutshëm , i pa analizuar mirë  dhe se do të sillte komplikime e përplasje.

Në takimin e jashtëzakonshëm Kuvendi i Sindikatave të Arsimit Fillor e të Mesëm të Kamenicës, në mbështetje të SBASHK-ut në nivel vendi  mori vendim  për hapur konkret të reagimit kundër mbylljes së shkollave në këtë komunë.

SBASHK-u fton mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit që ta kundërshtojnë mbylljen e shkollave  dhe që  në ditën e parë të mësimit, më 2 shtator, të jenë  secili në shkollën e tij  për të nisur vitin shkollor. Nëse kryetari Kastrati vazhdon me angazhimet për ta vënë në jetë idenë e mbylljes së shkollave , atëherë  në ditën e dytë të mësimit, më 3 shtator, i tërë sistemi arsimor  në Kamenicë do të shkojë në grevë dyorëshe. Në ditën e tretë mësimi do të vazhdojë në të gjitha shkollat e Kamenicës  dhe do të kërkohet nga kryetari Kastrati të  brenda një jave të deklarohet se heq dorë nga ideja për mbyllje të shkollave. Nëse ai nuk e bën këtë veprim, atëherë  të gjitha  shkollat e Kamenicës do të shkojnë në grevë në kohë të pacaktuar dhe me këtë veprim legjitim sindikal  do të solidarizohen edhe punëtorët  e arsimit nga e tërë Kosova me hapa konkret sindikal për të cilët do të vendos Këshilli Drejtues i SBASHK-ut bashkë me kryetarët e niveleve komunale e të Universiteteve.

SBASHK-u publikisht i drejtohet MASHT-it  dhe institucioneve të tjera të Kosovës dhe  asamblistëve te  Kamenicës  që të kërkojnë nga kryetari që të heq dorë nga kjo ide e ngutshme dhe e pa analizuar në mënyrë që  të mos vije deri të veprimet e SBASHK-ut, veprime këto që do të jenë  konkrete  dhe përgjegjësinë  për situatën e krijuar do të ketë vetë kryetari i Kamenicës, A. Kastrati.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme