Bundesbank: Gjermania mund të bjerë në recesion ekonomik

14:29 | 20 Gusht 2019
Arbresh.info

Banka Qendrore e Gjermanisë e njohur si Bundesbank paralajmëron se ekonomia më e madhe e Evropës mund të bjerë në recesion ekonomik, duke shtuar presionin ndaj politikëbërësve për rritur mbështetjen.

Bundesbank tha në raportin mujor se prodhimi në Gjermani nuk do të njohë ndonjë shkëlqim në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa mund të bjerë pak.

Nëse ky skenar materializohet, do të ishte tremujori i dytë me radhë në kontraktim, që është edhe përkufizimi i recesionit, pas rënies me 0.1 për qind në periudhën prill-qershor 2019. Paralajmërimi i Bundesbank vjen pas të fitimeve zhgënjyese të korporatave gjermane dhe të dhënave të dobëta ekonomike, që detyruan Bankën Qendrore Evropiane të konsiderojë stimuj të tjerë për ekonominë.

Edhe qeveria gjermane ka sinjalizuar se do të rrisë shpenzimet nëse kriza përkeqësohet. Banka citoi dobësinë e vazhdueshme të industrisë si ndër arsyet kryesore dhe tha se është e paqartë nëse mund të jetë goditur edhe kërkesa e brendshme, përcjell Scan.

Deri një javë më parë, analistët parashikonin një rritje prej 0.2 për qind të ekonomisë gjermane në tremujorin e tretë, por që nga ajo kohë, institucione të ndryshme, duke përfshirë edhe Deutsche Bank kanë ulur projeksionet.

Gjithashtu, Bundesbank shtoi se ngadalësimi i vitit të kaluar ka lënë gjurmë në tregun e punës, pasi punësimi po rritet me një hap dukshëm më të ngadaltë se tremujori i dytë. Edhe rritja e pagave ishte dukshëm më e ulët. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme