Vazhdojnë protestat masive në Hong Kong

10:23 | 18 Gusht 2019
Arbresh.info

Dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur në një park të Hong Kongut për protestë të re të dielën, dy muaj pas fillimit të përleshjeve të dhunshme mes policisë dhe protestuesve. Kryengritja ka nxitur reagim nga Pekini zyrtar dhe qeveria rajonale nuk po jep shenja se do të lëshojë pe ndaj kërkesave të protestuesve.

Policia dha leje për tubim në park pasi e refuzoi kërkesën e protestuesve për marshim nga parku qendror i Viktorias drejt distriktit të biznesit. Parku ku u mblodhën protestuesit i zë rreth 100 mijë njerëz, por organizatorët presin më shumë pjesëmarrës.

Pjesëmarrësit në protestë mund të akuzohen për tubim të paautorizuar në rrugë të caktuara dhe mund të dënohen maksimalisht me pesë vjet burgim.

Fronti për të Drejtat Civile, organizues i protestave të kaluara me miliona pjesëmarrës, bëri thirrje për marshim paqësor, racional dhe pa dhunë. Në protestat e mëparshme ka pasur dhunë dhe përleshje me policinë. Forcat e rendit ishin detyruar të përdorin gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën e protestuesve.

“Shpresojmë të mos ketë ndonjë situatë kaotike sot. Shpresojmë që mund t’i tregojmë botës se njerëzit e Hong Kong-ut mund të jenë tërësisht paqësorë”, tha Bonnie Leung, organizatore e protestës, shkruan “The Guardian”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme