Prezantohet Partia Balliste, kërkojnë uljen e pragut zgjedhor në 1%

18:51 | 16 Gusht 2019
Arbresh.info

Subjekti politik i cili së fundmi iu shtua skenës politike kosovare, Partia Balliste sot mbajti konferencën e parë për media.
Kryetari i kësaj partie, Pajazit Podrimçaku, tha se kanë pasur pengesa për regjistrimin e partisë për shkak të emrit. Sidoqoftë, ai tha se Partia Balliste ka një strategji të cilën synon ta realizojë.

“Te ballistët lajka nuk ka, jemi të sinqertë për aq sa mundemi. Nuk luajmë me fjalën tonë. Ballistët nuk kanë luajtur kurrë me fjalën e vet. Nuk kemi qejf me ju rrejt. Partia Balliste ka një strategji të vetën dhe këqyr ta realizon, është interes i yni. Nuk kam gjë kundër partive tjera, mos na përzieni me partitë tjera”, tha ai.

Duke qenë se zgjedhjet e parakohshme duken në horizont, Podrimçaku deklaroi se nuk do të bëjnë koalicion më partitë e tjera, ai tha se kushdo që dëshiron të bashkëpunojë me ta duhet të bëhet pjesë e Partisë Balliste.

Lulzim Ponosheci, sekretari politik, tha se kjo parti i takon spektrit të djathtë, ndërsa foli edhe për programin e tyre politik.

“Kemi disa kërkesa për përmirësim të sistemit politik të Kosovës. Kërkojmë që të zvogëlohet pragu i zgjedhor që është prej 5%, kërkojmë 1%. Kërkojmë të hiqen vendet e pakicave. Kuvendi po bllokohet nga lista serbe, ajo është parti fashiste. Kemi edhe një kërkesë, që të futet institucioni i referendumit për të zgjidhur shumë çështje në mënyrë që të respektohet vullneti i popullit”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme